Kryefjala Logo

Flet psikologia dhe gazetarja e njohur: Gabimi i Monika Kryemadhit

21 Prill, 2024 | 7:28 pm

Monika Kryemadhi është një figurë publike që zor se të lë indiferente në reagime. Ajo përfaqëson një profil të veçantë politik me një karrierë të pangjashme me atë të grave të tjera të politikës shqiptare. Unë nuk do merrem këtu me analizimin e zhvillimit të karrierës apo vendimeve të saj politike. Jo, nuk kam as tagër e as motiv. Por do merrem vetëm me deklaratën e saj banale që ngjalli së fundmi furtunë në rrjete sociale. Pse? Sepse është grua, dhe një gruaje nuk i pranohet manifestim mashkullor apo jo?

Personalisht më pëlqejnë komunikimet publike të një standardi të lartë që tentojnë të sfidojnë pritshmëritë e publikut dhe që ndikojnë në përcaktimin e parametrave etikë të debatit publik. Por faktikisht, prej kohës kur skenën politike e mori peng Edi Rama me bandën e tij kriminale, audienca i uli pritshmëritë për cilësi komunikimi, pasi njohuritë, aftësitë dhe dispozitat e aktorëve të Rama-Band ishin të nivelit parashkollor. Kështu që edhe trupat e tjera teatrale filluan dhe vazhduan të ecnin poshtë kufirit etik të vijëzuar me linjë të trashë nga Rama-Band.

Që në fillimet e tij, Edi Rama ofroi modelin banal të komunikimit publik. I reklamuar si njeri me kulturë, ky njeri u ngjit lart me profilin më anti-vlerë të mundshëm. Ai shfaqej i pisët, vulgar, i dhunshëm, i lig, i korruptuar, kriminal, i pashëndetshëm mendërisht, joetik.

U sigurua të rrethohej me të njëjtin material politik dhe u ngjit e u ngjit përmes fyerjesh e talljesh e një gjuhe të ndyrë. Njerëzit qeshnin dhe e votonin. “Është i madh, është unik, është tip, është artist”- thoshte gjindja dhe hiç nuk shqetësohej se nëpër sheshe Rama i shtypte, i ofendonte para fëmijëve, i përçmonte dhe përbuzte si qënie inferiore që nuk meritonin më shumë sesa puthjen e dorës së tij. E gazetarët e ndiqnin nga pas, e ca prej tyre shtonin pasuri e vila duke u bërë palë me Rama-Band.

Dhe sot Monika Kryemadhi, një grua që e filloi karrierën politike që në rininë e saj, pa ia falur askush asnjë rol në parti, por duke e fitur me aktivizëm të paepur, me punë e madje duke i falur mundin e saj edhe bashkëshortit që përfitoi gjithë pushtetet që ekzistojnë, tallet në rrjete për një shprehje burrërore që u deklarua me vetëdije të plotë prej saj e publikisht. A nuk është populli ynë ai që ka krijuar titullin “Burrneshë”?

Ja pra ku e keni, një grua me guxim që nuk është trembur të trazojë ujra mashkullore dhe të dominojë në territore burrërore qoftë përmes fjalorit ashtu edhe veprimeve duke konkuruar si e barabartë me ta edhe pse nuk ka patur barazi reale.

Si gjithmonë turma kapet pas gjësë më të vogël e të parëndësishme, ndërkohë çakejtë e ngordhur të Rama-Band e paralel me të ata të Veliaj-Band, shtohen në pirgun e kufomave që qelben në sy të publikut e “ndërkombëtarëve” duke e bërë klimën e pajetueshme në vend.

Nga: Jeta Dedja-Kryeredaktore Flasshqip

 

Të ngjashme