Lajme nga vendi
Abuzuan me çmimet, nis hetimi për Erzenin, Lufrën, Gjirofarm dhe Shaka
17 Janar, 2024 | 6:11 pm
Autoriteti i Konkurrencës ka grumbulluar fakte se kompanitë e prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të qumështit, Erzeni, Gjirofarma, Lufra, SHAKA Boboshticë SHPK, kanë abuzuar me çmimet dhe për shkak të kësaj, kundrejt tyre do të ushtrohet një hetim i thelluar.
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 29.12.2023, mori në shqyrtim procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit(djathë dhe gjalpë).
Referuar analizës së tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit, rezulton se sjellja e ndërmarrjeve me pjesë të konsiderueshme tregu, Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK, mund të përbëjë abuzim me pozitë dominuese sipas nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1045 , datë 29.12.2023, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK, në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 – 31 dhjetor 2023.
Burimi: Ico