Kryefjala Logo

Familja Hoxha sot fitoi betejën me miqtë e Tanit dhe bëhet 100% pronare e Top Channel

27 Shkurt, 2024 | 7:38 pm

Familja Hoxha sot fitoi betejën me miqtë e Tanit dhe bëhet 100% pronare e Top Channel

Televizioni kombëtar Top Channel do të vijojë të jetë në vlerën e 100% të aksioneve në pronësi të familjes Hoxha raporton portali Newsbomb.al. Beteja e fundit është zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe në një seancë maratonë, është vendosur me shumicë votash që televizioni t’i mbetet familjes Hoxha.

Kanë qenë dy miqtë e themeluesit të ndjerë Dritan Hoxha, Albert Sino dhe Aurel Baçi të cilët prej shumë vitesh kanë nisur një betejë me trashëgimtarët, për të mbajtur 60% të aksioneve, betejë e cila sot ka dështuar dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Newsbomb.al, Sino dhe Baçi kanë humbur në dy nga tre shkallët e drejtësisë dhe së fundmi kërkonin nga Kushtetuesja që të shprehej për vendimin e Gjykatës së Lartë, që njihte Vjollca Hoxhën, Lorela Hoxhën, Sara Hoxhën, Redia Hoxhën dhe Itan Hoxhën si pronar të 100% të aksioneve.
Në një seancë maratonë që ka nisur prej orës 10.00 të mëngjesit të sotëm, 9 (nëntë) anëtarët kanë vendosur me shumicë votash PRO familjes Hoxha, duke u ndarë në 7 (shtatë) PRO dhe 2 (dy) KUNDËR.

Në këto kushte, dy miqtë e të ndjerit Dritan Hoxha nuk kanë më asnjë rrugë tjetër por duhet të pranojnë se pronarët e televizionit më të madh kombëtar janë bashkëshortja dhe fëmijët e themeluesit, secili me nga 20% të aksioneve.

Si përfunduan aksionet te miqtë e Dritan Hoxhës dhe beteja për t’i rimarrë?

Dritan Hoxha vdiq më 23 Maj 2008 si pasojë e një aksidenti automobilistik në makinën e tij Ferrari 599. Kur themeloi “Top Median”, ai mbajti 40% të aksioneve dhe pjesën tjetër prej 60% ia ndau miqve të tij Albert Sino dhe Aurel Baçi, në vitin 2007, sepse ligji për mediat audiovizive i asaj kohe nuk lejonte një pronar të vetëm me më shumë se 40% të një medie kombëtare.

Me vendimin Nr.5259, datë 06.06.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është vendosur lëshimi i dëshmisë së trashëgimisë ligjore të të ndjerit, duke caktuar si trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë bashkëshorten, paditësen Vjollca Hoxha, dhe fëmijët, paditësit e tjerë Lorela, Sara, Redia dhe Itan Hoxha.

Në vitin 2016, pas 8 vitesh nga ndarja nga jeta e Dritan Hoxhës dhe 9 vite pas lidhjes së kontratës për shitjen e 60% të aksioneve të Top Channel, kontratë e vitit 2007, Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha, Itan Hoxha iu drejtuan me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kundër Aurel Baçi, Albert Sino me objekt:

Detyrimin e të paditurve të njohin paditësit pronarë të mbi 60% te aksioneve të shoqërisë “Top Channel” sh.a. NIPTI K12007002U, shoqëri e së drejtës shqiptare, për shkak se Kontrata e Shitblerjes së Aksioneve nr. 1154 rep, nr. 598/2 kol, datë 15.06.2007 e lidhur para noterit Artan Treska, është absolutisht e pavlefshme, pasi është kryer në kundershtim me ligjin, etj.
Familja Hoxha pretendonte se kontrata e shitjes së aksioneve mes Dritan Hoxhës dhe dy miqve të tij ishte fiktive, pra e bërë sa për t’i shpëtuar ligjit të kohës që nuk lejonte themeluesit të mbante vetë 100% të aksioneve. Thënë ndryshe, kontrata mes miqve ishte bërë “sa për sy e faqe”.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin civil nr.3873 date 09.05.2016, vendosi të rrëzonte padinë e bërë nga familja Hoxha, duke u shprehur se ajo ishte e pabazuar në ligj dhe në prova.
Në kushtet kur nuk mund të pranonin këtë vendim, pala paditëse, pra familjarët e Dritan Hoxhës ndoqën rrugën në Gjykatën e Apelit të Tiranës duke vepruar brenda procedurave dhe afateve ligjore. Një vit më pas, shkalla e dytë e drejtësisë doli me vendim.

Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin Nr.1641 datë 28.06.2017, vendosi të ndryshonte vendimin nr.3873 datë 09.05.2016 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke detyruar shtetasit e paditur Albert Sino dhe Aurel Baçi, të njohin anëtarët e familjes si pronarë edhe të 60% të aksioneve.

Detyrimin e palëve të paditura Albert Sino dhe Aurel Baçi të njohin pronar paditësit Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha dhe Itan Hoxha pronar edhe mbi 60% të aksioneve të Shoqërisë “Top Channel” sh.a me Nipt K120070024, për shkak se kontrata e shitjes së aksioneve me nr.1154 Rep dhe Kol date 15.06.2007 është absolutisht e pavlefshme pasi është kryer në kundërshtim me ligjin.
Urdhërohet ç’regjistrimi nga regjistri i aksioneve të Shoqërisë “Top Channel”sh.a nga të paditurit Albert Sino dhe Aurel Baçi dhe nga regjistri i ekstraktit të Shoqërisë në Qendrën Kombëtare te Biznesit, pasi në bazë të të cilit është bërë regjistrimi i tyre në regjistër është i pavlefshem.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm dhe menjëherë pas tij, është lëshuar dhe urdhri i ekzekutimit të vendimit, me Nr.1641 datë 28.06.2017, duke i dhënë bashkëshortes Vjollca dhe katër fëmijëve, Lorela, Sara, Redia dhe Itan 100% të aksioneve të televizionit që themeloi dhe drejtoi babai i tyre deri në vitin 2008, biznesmeni i ndjerë Dritan Hoxha.

Të pestë familjarët e Hoxhës, kanë secili nga 20% të aksioneve duke formësuar kështu dhe pronësinë e plotë familjare mbi telvizionin kombëtar Top Channel raporton Newsbomb.al.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Gjykata e Lartë, organi më i lartë i drejtësisë në Shqipëri, duke vendosur më 18 Janar 2023 që të linte në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit. Miqtë e Dritan Hoxhës nuk e pranuan as vendimin e Gjykatës së Lartë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të shprehej mbi kushtetutshmërinë e ligjit dhe vendimeve të marra.

Në seancën maratonë të mbajtur këtë të martë, datë 27 Shkurt 2024, nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë shprehur PRO vendimeve të dhëna nga dy shkallët e tjera të drejtësisë shqiptare, duke vulosur përgjithmonë fatin e pronësisë së televizionit Top Channel.

Aksionet janë të ndara respektivisht: Vjollca Hoxha – 20%, Lorela Hoxha – 20%, Sara Hoxha – 20%, Redia Hoxha – 20% dhe Itan Hoxha – 20%. Bashkëshortja dhe katër fëmijët kanë përqindje të barabartë të aksioneve dhe në total zotërojnë 100% të kuotave të kapitalit mbyll raportimim Newsbomb.al.

Të ngjashme