Kryefjala Logo

Arritje historike në mjekësi: Mjekët italianë i rikthejnë shikimin pacientes

28 Korrik, 2026 | 8:43 am

Një ndërhyrje e rrallë në fushën e oftalmologjisë është realizuar në spitalin “Molinette” në Torino, ku një ekip mjekësh ka arritur t’i rikthejë pjesërisht shikimin një pacienteje 67-vjeçare, e cila kishte pesë vite me probleme të rënda të shikimit.

Pacientja, e identifikuar si Elena, kishte humbur plotësisht shikimin në syrin e majtë pas një aksidenti të rëndë automobilistik, i cili i kishte dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme nervin optik. Ndërkohë, edhe syri i djathtë ishte prekur rëndë nga degjenerimi makular, si dhe nga dëmtime të retinës dhe kornesë.

Përballë një situate tepër komplekse, ekipi mjekësor vendosi të përdorte indet e shëndetshme të syrit të majtë, i cili nuk mund të shihte për shkak të dëmtimit të nervit optik, për të rindërtuar syrin e djathtë.

Ndërhyrja zgjati rreth gjashtë orë dhe përfshiu transplantimin e disa strukturave të syrit, mes tyre edhe makulën, pjesa qendrore e retinës që luan një rol thelbësor në shikimin e detajuar.

Në këtë mënyrë, mjekët synuan të kombinonin pjesët ende të shëndetshme të dy syve të dëmtuar për të krijuar një sy me funksion më të mirë.

Rezultatet e para pas operacionit janë cilësuar inkurajuese, ndërsa mjekët po ndjekin evolucionin e pacientes për të kuptuar deri në çfarë mase retina e transplantuar do të vazhdojë të funksionojë.

Rasti është konsideruar një hap i rëndësishëm për mjekësinë, megjithëse specialistët theksojnë se nevojitet ndjekje afatgjatë dhe studime të tjera për të kuptuar nëse një teknikë e tillë mund të përdoret edhe te pacientë të tjerë.

Të ngjashme