Kryefjala Logo

BERZH dhe Banka OTP Albania mbështesin One Telecommunications në Shqipëri

4 Tetor, 2021 | 3:43 pm

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka OTP Albania mbështesin rritjen e një prej prej kompanive më të rëndësishme të shërbimeve të telekomunikacionit në vend, One Telecommunications.

Banka OTP Albania po financon me një hua prej 2 milionë Euro, 50% e së cilës do të garantohet nga BERZH, nën marrëveshjen e ndarjes së riskut midis dy institucioneve financiare.

One Telecommunications ofron shërbime telekomunikacioni në Shqipëri duke rritur ndjeshëm pozitën e saj në treg vitet e fundit. Programi i përbashkët OTP-BERZH do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve të telekomunikacionit në një kohë kur digjitalizimi është kthyer në element kyç për përballimin e sfidave ekonomike të Covid.

“Rritja e konkurueshmërisë në sektorin privat përmes përmirësimit të qasjes në financime është një nga prioritetet e BERZH në Shqipëri dhe ne jemi të lumtur për mbështetjen që mund t’i ofrojmë One Telecommunications në bashkëpunim me partnerin tonë, Bankën OTP Albania. Bashkëpunimi ynë do të ndihmojë One të zgjerojë rrjetin e saj të ndërlidhjes në Shqipëri që po bëhet çdo ditë më i rëndësishëm në botën e digjitalizuar”, tha Ekaterina Solovova, Drejtoreshë e BERZH në Shqipëri.

“BERZH ka krijuar platforma mjaft të dobishme për stimulimin e biznesit vendas dhe ne si OTP Bank besojmë se i kemi ofruar partnerin kreditues që i duhet për të rritur fuqinë e biznesit vendas. Banka OTP Albania dhe ONE Telecommunications prej kohësh kanë ngritur marrëdhënie të shëndetshme dhe të forta, ku ndërthuren disa pika bashkëpunimi bankë-biznes dhe ne jemi shumë të kënaqur nga ky partneritet, që siç po shihet është vetëm në progres.” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, Z. Bledar Shella.  

“Jemi të lumtur që përpjekjet tona gjatë këtyre dy viteve të fundit janë njohur nga institucione të mirënjohura ndërkombëtare si BERZH. Ne kemi arritur të rrisim pjesën tonë të tregut, kënaqësinë e klientit, dhe kemi një rezultat pozitiv financiar, mjaftueshëm që BERZH të na besojë për të nisur punën me ne. Ne jemi të bindur se rritja do të vazhdojë dhe ne do ta bëjmë ONE operatorin e preferuar në Shqipëri. Me këtë marrëveshje, ne mund të përqendrohemi drejt nevojave të klientëve tanë dhe të vijojmë me planet tona të investimit.” – tha Emil Georgakiev, Drejtor Ekzekutiv i One Telecommunications.

BERZH është një institucion financiar ndërkombëtar lider në Shqipëri. Deri më sot Banka ka investuar 1.69 miliardë Euro në 115 projekte në vend.

Banka OTP Albania është pjesë e Programit të Ndarjes së Riskut të BERZH që nga Maji i vitit 2019. Ky program ju mundëson bankave partnere të ndajnë me BERZH financimet për sipërmarrjet vendase, shoqëruar me bashkëfinancim të drejtpërdrejtë ose me ndarje risku nëpërmjet garancive, duke kontribuar kështu në fuqizimin dhe zgjerimin e sipërmarrjeve lokale.

9BF0D0CB C527 4B54 BD28 BE20B2F5F822

 

Të ngjashme