Lajme nga vendi
Fëmija 3 vjeçar ndërroi jetë në klinikën e tij, flet mjeku Roland Xhaxho: Kishte probleme në zemër
6 Tetor, 2023 | 11:33 am
Mjeku Roland Xhaxho ka reaguar mbrëmjen e djeshme në “Top Story”, pas vdekjes së djalit 3-vjeçar në klinikën dentare të vajzës së tij, ngjarje e rëndë e ndodhur pak ditë më parë, pasi fëmija ju nënshtrua anestezisë së përgjithshme për të kryer ndërhyrjet dentare, dërsa sot rasti u bë publik dhe tronditi jo pak publikun, ndërsa mjeku dhe e bija, mjeke stomatologe, ndodhen nën hetim.
Ai ka deklaruar se ka kryer detyrën e tij dhe se prindërit e djalit kishin firmosur për kryerjen e anestezisë totale. Ai thotë më tej se djali ka patur probleme në zemër dhe ka kryer dhe një operacion 2 vite më parë, prandaj u zgjodh kjo metodë mjekimi, ndërsa sëmundja që kishte, shkakonte infeksione tek dhëmbët, prandaj trajtimi i tij ishte i vështirë dhe duhej bërë në masë.
“Fëmija kreu në klinikë procedurat detare nën anestezi të përgjithshme ashtu siç ishim sqaruar me prindërit, të cilët kanë firmosur edhe konsentin. Pse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me defekt në zemër për të cilin është operuar rreth 2 vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatre infeksioni te këta fëmijë sepse shkakton infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve. Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij”- ka thënë ai.