Kryefjala Logo

Sonila Meço (nëpërmjet Deas) ka një koment për sistemin arsimor shqiptar…

5 Shkurt, 2023 | 2:07 pm

Dea Michelle pak ditë më parë fitoi testin e inteligjencës në Big Brother edhe pse shumë prej përgjigjeve të saj janë bërë “meme” në të gjitha rrjetet e mundshme sociale. Dhe për këtë fenomen ka folur edhe gazetarja dhe pedagogia Sonila Meço.

Më poshtë gjeni të plotë statusin e Meços në Facebook:

Nuk na e ka fajin Dea Mishel, nuk na e ka!

Po si ka mundësi vëmë kujën për formimin e një të reje shqiptare, që jeton e studion këtu dhe nuk ka marrë përsipër të promovojë asnjë institucion arsimor në vend duke e mallkuar, sharë, fyer, denigruar, masakruar si individ kur britma duhej të vinte oshëtimë prej këtij lajmi:

“Prej 20 vitesh, grupi spanjoll Cybermetrics Lab përgatit një renditje të universiteteve në nivel botëror, mbështetur në volumin e përmbajtjes së tyre në internet, për shikueshmërinë dhe ndikimin e punimeve të këtyre universiteteve, bazuar kryesisht në citimet e tyre në punimet e studiuesve të tjerë (Webometrics Ranking of World Universities).

I pari mes universiteteve shqiptare renditet Universiteti i Tiranës, që mban vendin e 3972-të në botë, i ndjekur nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në vendin e 4379-të në botë.

Pozicioni i Shqipërisë është i dobët krahasuar edhe me vendet fqinje të rajonit. Mes pesë vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë), numërohen 14 universitete që kanë renditje më të larta se universiteti i parë shqiptar (Universiteti i Tiranës).

Universiteti i parë në rajon renditet Universiteti i Beogradit, në vendin e 443-të në botë, i ndjekur nga Universiteti i Novi Sadit, në vendin e 963-të, Universiteti i Nishit, në vendin e 1487-të. Ndër universitetet me pozicionim më të mirë se Universiteti i Tiranës renditet edhe ai i Prishtinës, në vendin e 2982-të në Botë.”

Dea Mishel është pasojë e zgjedhjeve të veta, si çdokush zgjedh të qendrojë injorant, i pa shkolluar, të korruptojë për notat (tek e fundit u korruptua FBI, jo më universitetet tona). Dhe të bësh shënjestër pa mëshirë pasojën pa i hyrë shkaqeve është më dëshpëruese se njohuritë e Deas, që nuk ka marrë përsipër të përfaqësojë kënd tjetër veç vetes. Edhe të fitojë famë duke e përçmuar po deshi.

Po si do t’ja bëjmë me arsimin, edukimin, institucionet tona të rraskapitura që nga Universitetet e deri tek Akademia e Shkencave?

Të ngjashme