Aktualitet
Flet për herë të parë mamaja e 14-vjeçares së vrarë në Maqedoninë e Veriut
8 Dhjetor, 2023 | 11:20 am
Në lidhje me grabitjen dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjerçevska në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar për herë të parë nëna e saj, Zorica Gjerçovska.
Ajo është shprehur se ende nuk e ka të qartë atë që ka ndodhur, ndërsa për babain e vajzës, i cili dyshohet i përfshirë në ngjarje, ka thënë se janë ndarë prej 5 vitesh dhe nuk e ka ditur që ka borxhe bixhozi, sepse nuk është përzier në jetën e tij.
“Nuk jam në gjendje të flas. Ende nuk e di se përse ka ndodhur kjo. Po e pres ende epilogun e gjithë kësaj. Ende nuk e kam të qartë përse jeta ime normale u shndërrua në ferr. E kam të paqartë si dhe përse vajza ime e shkëlqyer tani është në varr. Kam sëmundje kronike, por po mbahem, me rëndësi e kam të zbulohet e vërteta”, tha Zorica Gjorçevska, nëna e Vanja Gjorçevskës.
Kujtojmë se 14 vjeçarja Vanja u rrëmbye në hyrje të ndërtesës në banesës e saj më 27 nëntor. Asaj iu lidhën duart dhe këmbët, u fyut në thes e më pas u transportuar me një automjet nga autorët e dyshuar.
Sipas organeve ligjzbatuese, 14-vjeçarja u vra në të njëjtën ditë dhe u gjet nga policia më 3 dhjetor, në afërsi të fshatit Brazda, ndërsa makina me të cilën ajo u transportua, ishte djegur. Babai i saj akuzohet që ka dhënë informacione se kur ajo do të dalë nga shtëpia. Ndërkohë, autori kryesor i kësaj ngjarjeje u arrestua në Turqi dhe pritet të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut, pas kërkesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë.