Kryefjala Logo

Fëmija 9 muajsh rrezikon jetën, farmacistja i jep hollues gjaku në vend të antibiotikut!

6 Dhjetor, 2023 | 9:04 am

Emisioni investigativ “Fiks Fare” solli rastin e një fëmije 9 muajsh, të cilit i është injektuar hollues gjaku për të rritur në vend të antibiotikut për fëmijë.

Problemi ka nisur nga farmacistja e cila në vend të antibiotikut të përshkruar në recetë nga mjeku pediatër ka dhënë hollues gjaku për të rritur, duke u pasuar me injektimin e holluesit nga infermierja e Qendrës Shëndetësore Laprakë.

Mario Ndregjoni, babai i djalit 9 muajsh tregoi për gazetarët e Fiksit se mjekja pediatre i dha një recetë për djalin, në të cilën përshkruhej antibiotik Claxon 40 mg, ndërkohë tek farmaci “Rubini” në Laprakë, farmacistja i dha CLEXAN 4000 unite, një hollues gjaku për të rritur.

“Pasi na e dha farmacistja, djalit ja injektoi infermierja, djali ka 10 ditë i shtruar në pediatri, nuk po di çfarë po ndodh”, thotë Mario.

“Kërkoj të dalë e vërteta, sepse farmacistja ka futur seksera për të na ofruar para që të mos denoncojmë”, thotë Mario

Fiksi solli bisedën e prindit të të miturit me nje zotëri të prezantuar si daja i infermieres i cili thotë se mbesa e tij ka gabuar, madje ajo është interesuar të mjekët dhe i kanë thënë se fëmija mund të kishte vdekur. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Laprakë ka dhënë vërejtje për injeksionin e gabuar që i bëri fëmijës dhe e ka hequr nga ai pozicion pune infermieren. Madje ajo thotë për qytetarin se e pranojnë gabimin e bërë dhe ai si prind ka të drejtë.

Ndërsa infermierja thotë se ka menduar që djali 9 muajsh mund të ketë pasur Covid 19 dhe i është trashur gjaku.

Për gazetarët e Fiksit, pronarja e farmacisë Besa Dogjani, pranoi se farmacistja ka gabuar, dhe falenderon Zotin që fëmija nuk kishte hemorragji.

Prindi shkoi edhe në një farmaci rastësore për të pyetur për injeksionin e dhënë dhe atë të përshkruar. Farmacistja e përlotur vendos duart në kokë dhe thotë ky është gabim fatal. /TopChannel

Të ngjashme