Qeveria behet doreleshuar: Leja per te gjithe ne brigjet e Himares

3 muaj më parë

Nën petkun e “strategjikut” një investitor mund të zaptojë brigjet e detit në Shqipëri. Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar një vendim që i jep leje investitorit të projektit të “Dreamades Luxury Suites” të “AGTTC Hotel Management”, sh.p.k që të përfitojë hapësirë në Gjilekë, pra zonën e Himarës sa brigje detare që të dojë për 30 vite.

VENDIMI I PLOTE

LEJIMIN E PËRDORIMIT TË BRIGJEVE DHE TË ZONËS PËRKATËSE TË PLAZHIT PËRBALLË KOMPLEKSIT, NË FUNKSION TË REALIZIMIT TË PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “DREAMADES LUXURY SUITES”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Dreamades Luxury Suites”, Gjilekë, Himarë, i cili me vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, ka përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”.

2. Afati për përdorimin e brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, sipas këtij vendimi, të jetë 30 (tridhjetë) vjet, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

3. Bashkia Himarë ka detyrimin që, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë.

4. Investitori strategjik “AGTTC Hotel Management”, sh.p.k., me NUIS M11825022K, duhet të paraqesë pranë Bashkisë Himarë kërkesën dhe dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Planvendosjen e sipërfaqes, për të cilën subjekti kërkon të lidhë kontratë me njësinë e vetëqeverisjes vendore;
b) Përshkrimin e aktivitetit që do të realizojë në sipërfaqen, për të cilën kërkon të lidhë kontratë.

5. Përdorimi i brigjeve dhe i zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror, të përcaktuar në aktet nënligjore në fuqi për turizmin, përkundrejt pagesës së tarifës, në përputhje me tarifën e plazheve, të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Himarë. Kjo tarifë të aplikohet vetëm për sipërfaqen objekt kontrate, sipas pikave 3 dhe 4, të këtij vendimi, të lidhur me Bashkinë Himarë, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë.

6. Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Himarë.

7. E drejta e përdorimit të brigjeve nga ana e investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management”, sh.p.k., me NUIS M11825022K, sipërfaqja e lejuar për përdorim afatgjatë dhe kushtet e përdorimit bazohen në vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe në përputhje me përcaktimet e kontratës përkatëse, që investitori strategjik duhet të lidhë me Bashkinë Himarë.

8. Ngarkohet Bashkia Himarë për lidhjen e kontratës përkatëse me investitorin strategjik, në zbatim të këtij vendimi dhe të vendimit nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar. Në këtë kontratë të parashikohen shprehimisht të drejtat e detyrimet e autoritetit kontraktues dhe të drejtat e detyrimet e investitorit, në funksion të projektit të investimit strategjik, si dhe penalitetet përkatëse. Kontrata për dhënien me qira të përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, me koordinata sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, nën juridiksion të Bashkisë Himarë, të ketë afat një periudhë 30-vjeçare, me kusht që investitori të mos ndryshojë destinacionin e pronës (përfshirë, por pa u kufizuar, ndërtimin, dhënien me qira palëve të treta).
9. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Himarë dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/5pyetjet.al

Të ngjashme