Kryefjala Logo

Ju zbulojmë disa nga artistët e festivalit të Rtsh, duke filluar me Vesa Lumën…

29 Shtator, 2023 | 3:43 pm

Festivali i Radio Televizionit Publik Shqiptar do të jetë si gjithnjë në dhjetor, duke shënuar kështu edicionin e tij të 62-të. Kryefjala.com ju ka njohur me dy prezantuesit e tij, Almeda Abazin dhe Xhani Shqerrën por kishim harruar t’ju tregonim dhe emrin e skenaristit që këtë vit i është besuar, gazetarit e shkrimtarit të njohur, Enkel Demi.

Por ju e dini që kryefjala e çdo festivali janë artistët dhe këtë vit siç ka mësuar Kryefjala.com do të ketë shumë artista të rinj. Megjithatë disa nga emrat “big” që kemi arritur të zbulojmë janë Vesa Luma e cila do të vijë në një duet me partnerin e saj, Big Basta.

Kënga mendohet të jetë e zhanrit hip-hop dhe është punuar në studion e kantautorit, Alban Kondi. Ka qenë vetë Vesa ajo që ka postuar një video nga studio duke punuar së bashku me djemtë. Ardit Çuni thuhet gjithashtu se do të jetë një tjetër emër që pritet të bëhet pjesë e këtij show. Këngëtari mendohet se do të marrë pjesë me një këngë ritmike.

Vesa Smolica, Blerina Braka, Erma Mici, apo edhe Luiz Ejlli (siç u përfol pak kohë më parë në media) janë të tjerë emra që janë përfolur se do të bëhen pjesë e këtij kompeticioni të rëndësishëm, kënga fituese e të cilit përfaqëson Shqipërinë në Eurovision.

 

Të ngjashme