Kryefjala Logo

Pësoi 11 gola në dy ndeshje, skuadra e Torinos ballafaqohet ashpër me tifozët

16 Maj, 2021 | 4:20 pm

Dy humbje radhazi në harkun e vetëm 3 ditëve dhe plot 11 gola të pësuar, kanë tronditur jo pak ambientin te Torino, teksa disfata 4-1 në transfertën ndaj një rivali direkt për mbijetesën si Spezia, ka bërë që të rikthehet sërish rreziku i rënies.

Tifozët “granata” nuk e kanë kapërdirë aspak mirë humbjen me rezultat të thellë në transfertën ligure dhe kanë dalë të presin autobusin e skuadrës në hyrje të qytetit, duke u kërkuar llogari futbollistëve për paraqitjen e dobët.

Fillimisht pati tension në përballjen mes disa tifozëve dhe drejtuesve të klubit Comi e Moretti, ndërsa situata u qetësua kur u afruan trajneri Davide Nicola, kapiteni Andrea Belotti e disa futbollistë të tjerë të ekipit.

Tekniku i skuadrës garantoi tifozët se ekipi ka harruar menjëherë humbjet e fundit dhe po përgatitet edhe psikologjikisht për dy ndeshjet e fundit të sezonit, ndaj Lazios në mesjavë dhe ndaj Beneventos fundjavën e ardhshme.

Nga ana tjetër nuk kanë munguar as batutat, teksa një tifoz i mërzitur, i është drejtuar Belottit me fjalët: Edhe unë po të marr ato miliona të rrogës tënde, të siguroj që i shënoj 20 gola në sezon”, duke shkaktuar edhe ilaritet në ballafaqimin mes palëve.

Të ngjashme