Kryefjala Logo

Atalanta ngec ndaj Sassuolos, Interi kampion i Italisë

2 Maj, 2021 | 6:05 pm

Interi shpallet zyrtarisht kampion i Serisë A një ditë pas suksesit 2-0 në fushën e Crotones. Zikaltrit përfituan nga ndalesa e Atalantës 1-1 në fushën e Sassuolos, për të nisur festën e titullit, duke thyer hegjemoninë 9-vjeçare të Juventusit. Nëse bergamaskët do të fitonin ndaj Sassuolos thjesht do të shtynin festën e skuadrës së Contes, por sfida në “Mapei” nuk nxori fitues. U shënuan dy gola, u dhanë dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër, dhe Muriel humbi një penallti, por në fund më të lumturit ishin futbollistët dhe tifozët e Interit.

Portieri Gollini e la në inferioritet numerik Atalantën në minutën e 15-të, megjithatë të parët shënuan bergamaskët me Gosens në të 32-tën. Shtatë minuta nga starti i fraksionit të dytë Berardi ktheu ekuilibrin në rezultat me 11-metërsh, ndërsa në të 64-tën goli i Locatellit u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.

Atalanta fitoi penallti në të minutën e 75-të me Marlon që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, por nga pika e bardhë gaboi Muriel. Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Atalantën që humb jo pak avantazh në luftën për zonën Champions, duke mos përfituar nga ndalesa e Napolit përballë Cagliarit, takim që u mbyll 1-1.

E pafalshme për Napolin ajo që ndodhi në stadiumin “Maradona”, ku deri në minutën e 4-t shtesë skuadra e Gattusos kryesonte me golin e Osimhen, të shënuar që në minutën e 13-të. Kur u mendua se gjithçka kishte përfunduar, Cagliari barazoi me Nandez, atëherë nuk kishte më kohë për vendësit për të realizuar një tjetër gol për fitoren.

Rodrigo Palacio ishte heroi i Bolognas në barazimin spektakolar 3-3 përballë Fiorentinës në duelin mes dy skuadrave që ende nuk e kanë siguruar mbijetesën në Serinë A. Tri herë kaloi në epërsi skuadra vjollcë, por po kaq herë ktheu baraspeshën në rezultat veterani argjentinas. Spikati me dygolësh edhe në këtë takim (të parin me 11-metërsh) Vlahovic, ndërsa mes dy finalizimeve të sulmuesit serb për skuadrën toskane shënoi Bonaventura.

Të ngjashme