Kryefjala Logo

Zbulohet e dashura e Jasir Asanit dhe gjithçka që ndodhi mes futbollistëve dhe vajzave në festën e Kombëtares

26 Nëntor, 2023 | 10:17 pm

Djemtë e Kombëtares sonë kanë mundur të shkruajnë historinë. Kualifikimi i tyre për në “EURO 2024” padyshim që na ka bërë të gjithëve krenarë, duke festuar për këtë sukses të rradhës së tyre.

Me të mbaruar ndeshja me Ishujt Faraoe, futbollistët, por edhe tifozët u bënë pjesë e festës së organizuar nga FSHF, ku nën muzikën tradicionale, të gjithë festuan për këtë moment historik në futbollin tonë. Por, ajo që ndoqëm në televizion ishte vetëm fillimi i një nate, që duhet thënë ishte me të vërtetë elektrizuese.

Pasi kanë mbyllur edhe festën në dhomat e zhveshjes, futbollistët tanë kanë zgjedhur që ta vijojnë festën, këtë herë në një nga klubet e kryeqytetit ku duhet thënë atmosfera ka qenë elektrizuese. Nën ritmet e muzikës dhe shijen e alkoolit, futbollistët tanë kanë shijuar këtë mbrëmje, ku natyrisht janë përkëdhelur edhe nga të pranishmit e tjerë në klub. Artjola Toska ka qenë e ftuara e mbrëmjes, ku ka interpretuar së bashku me djemtë e Kombëtares në skenë.

Madje, aq është ndezur atmosfera, ku disa prej yjeve të Kombëtares sonë kanë zgjedhur edhe të marrin mikrofonin dhe të këndojnë së bashku me të. Ajo që ra në sy ishte fakti se të gjithë djemtë ishin vetëm në këtë mbrëmje argëtimi.

Ndonëse disa prej tyre të martuar, apo edhe të lidhur, në festën që pasoi ndeshjen, asnjë nga partneret e futbollistëve nuk ishte prezente. Nga ana tjetër, të shumta ishin femrat që u panë pranë zonës VIP, ku dhe qëndruan fillimisht djemtë.

Më pas, festa u zhvendos në skenë, ku yjet e Kombëtares, nuk ngurruan të dhuronin spektakël në kërcim, këndim, ashtu edhe siç pati disa nga ata që dhuruan spektakël edhe teksa hoqën bluzat e tyre.

Ajo që na bëri përshtypje ishte padyshim edhe festa e Silvinjos. Braziliani ka dal jashtë natyrës së tij serioze, ku ka shijuar muzikën nën shoqërinë e skuadrës. Herë duke kërcyer e herë duke kënduar me plis në kokë, Silvinjo duket se mësoi atë mbrëmje sesi ishin festat e shqiptarëve.

ZBULOHET E DASHURA E JASIR ASANIT

Jasir Asani është zbulimi i ri i kësaj Kombëtareje, megjithatë duhet thënë se është ndër yjet e skuadrës së formuar nga Silvinjo. Një emër që ishte thuajse i panjohur për publikun e gjerë, i bëri të gjithë për vete me performancën e tij në fushë dhe mbi të gjitha me golat e vlerësuara edhe ndërkombëtarisht.

Vetëm pak kohë më parë, teksa bëmë një rezyme të jetës private të disa prej yjeve të Kombëtares, Asanin e listuam te djemtë “single”. Ndonëse ka miqësi me shumë vajza të famshme të “showbizz”-it, Asani dukej se ishte ende në kërkim të dashurisë, që tashmë mund të themi që e ka gjetur.

Ashtu si kemi parë edhe nga rrjetet e tij sociale, futbollisti ka nisur një lidhje dhe duket më i përfshirë se kurrë në këtë histori dashurie. Ndonëse ka vetëm pak kohë që ka nisur kjo histori dashurie, Jasiri vetë ka vendosur që të zbulojë pak detaje nga partnerja, duke publikuar foto ku duket trupi i saj, këmbët, apo edhe një arush, që me gjasa është një dhuratë e tij.

Nga hulumtimet tona, mund të mësonim se partnerja e Jasirit është një shqiptare e Maqedonisë së Veriut pak vite më e vogël se futbollisti. Çifti kalojnë shumë kohë së bashku, duke e bërë këtë lidhje të rëndësishme që në fazat e para. Vetëm pak ditë më parë, Asani në një intervistë të dhënë, zbuloi edhe pak detaje nga kjo histori dashurie, ashtu edhe si për jetën dhe familjen e tij.

Sa i përket se me kë nga futbollistët e Kombëtares ka më shumë shoqëri, Asani shprehet se Seferin e ka shok që në vitin 2011 dhe me Ramadanin që e ka njohur që kur luante te “Partizani”. I pyetur se çfarë bëjnë para një ndeshjeje futbolli, apo si frymëzohen, Asani shprehet: “Në mëngjes jemi të gjithë të fokusuar dhe fokusohemi në çdo gjë, sepse është e vështirë të fitosh, të jesh vetëm ti apo të mendosh që do luash vetëm për veten. Mund t’ia dalësh për një ndeshje, por jo gjithmonë, grupi është suksesi në një ndeshje, mund të jesh Messi apo Ronaldo, por të jesh vetëm do kesh një herë sukses, por jo gjithmonë”.

Sa i përket fillimeve të tij në futboll, Asani shprehet se i ati ka luajtur futboll dhe kur e ka parë të luajë në lagje, e ka kuptuar se ka talent, kështu e ka çuar në stërvitje. “Babi ka luajtur futboll dhe 7-vjeç fillova të luaj në lagje. Babi më ka parë që kam talent dhe isha te Shkolla e Vardarit, por nuk pranonin lojtarë të tjerë. Fillova vetëm stërvitje, por trajneri më pëlqeu dhe më tha që ‘ti do rrish’.

Unë ëndërr e kam pasur gjithmonë Kombëtaren”. Në lidhje me eksperiencës së tij në Korenë e Jugut si futbollist, Jasir Asani shprehet se ka qenë tepër e vështirë. Gjuha, ushqimi, e shumë arsye të tjera e bënë Asanin të mos ishte i lumtur 3-4 muajt e parë.

“3-4 muaj e parë shumë e vështirë, gjuha, ushqimi, futbolli… Nuk je në Europë, njerëzit ishin shumë ndryshe. Ata janë të lumtur dhe nëse humbin ndeshjen, qeshin, mua më ikën mendja se ne shqiptarët jemi shumë nervozë. Ushqimi korean ishte shumë i keq”.

Sa i përket familjes, Asani shprehet se kanë qenë shumë mbështetës për të gjatë karrierës në futboll, ndërsa për jetën e tij private, ai tregoi se është në një lidhje dashurie dhe se është gati dhe për martesën.

“Unë dua nuse vetëm shqiptare. Jam gati për martesë. Duhet të shoh dhe karrierën, i kam thënë që do presim dhe pak”.

Në fund të intervistës, Asani e ka mbyllur me një mesazh të bukur për të gjithë: “Me këtë grup do të bëjmë gjëra të mëdha në Gjermani dhe do i bëjmë krenarë tifozët”!

Të ngjashme