Showbiz
Pse zhgënjeu “Sunny Hill”? Çmimet e larta, mungesa e artistëve BIG botërorë. Vetë Dua Lipa nuk denjojë të këndojë.
27 Korrik, 2024 | 9:36 pm
“Sunny Hill” ka hapur siparin mbrëmjen e djeshme në Kosovë. Koncerti, i cili vjen nga këngëtarja Dua Lipa, është një nga aktivitetet më të pëlqyera dhe më të ndjekura në Kosovë, por jo vetëm. Prej disa javës, faqja zyrtare ka bërë me dije detajet rreth aktivitetit. Faqja zyrtare e festivalit ka publikuar listën e plotë të artistëve që do të performojnë.Ndër kryesorët e këtij viti janë: Bebe Rexha, Stormzy, DJ Snake, Black Coffe, The Martinez Brothers, Groove Armada, The Blaze etj. Të tjerët që do të marrin pjesë janë: Adrian Berisha, Buta, Capital T, Dafina Zeqiri, Dani Johnsson, Dhurata Dora, Geek, Ledri Vula, Lyrical Son, MC Kresha, Mozzik, PM to the Dagz, Yll Limani etj. Portali Panorama.al raporton se pas natës së parë dhe të dytë, të pranishmit kanë nisur të evidentojnë edhe problemet e para që ky festival ka pasur.
Një detaj që është përfolur shumë kanë qenë edhe çmimet e larta të biletave. Ndryshe nga vitet e shkuara, biletat për të parë nga afër shfaqjen, këtë vit ishin rritur dhe nisnin nga 160 euro, për të shkuar edhe në 200 euro për person, në vendet më pranë skenës sipas Panorama.al. Probleme ka pasur edhe me transportin, ku të shumtë kanë qenë ata që kanë kërkuar më tepër informacion dhe lehtësira për të shkuar drejt vendit ku edhe po mbahej koncerti. Faqja zyrtare i ka ripublikuar detajet e transportit, por duket se në terren ka pasur vështirësi.
Panorama.al kujton që “Sunny Hill” duket se do të mungojë këtë vit në Tiranë. Deri më tani, vetë organizatorët nuk kanë bërë publike data për koncertin në Tiranë, ashtu si ndodhi dy vite më parë. Ndonëse u tha se që nga 2022 shfaqja do të organizohej në të dyja vendet, diçka e tillë nuk ka ndodhur. Arsyet deri më tani nuk janë bërë publike, duke zgjedhur që të vijojnë me koncertin festiv në Kosovë, ku këtë vit, Dua Lipa do të jetë në shfaqje si për të performuar, ashtu edhe për t’u takuar me fansat e shumtë që ka. Kujtojmë se dy vite më parë, organizatorët e “Sunny Hill” patën një përplasje me qeverinë e Kosovës, duke bërë që për disa javë, festivali të pezullohej.
Menjëherë u bë gati gjithçka që shfaqja e madhe të bëhej në Tiranë. Në atë kohë, u premtua se shfaqja do të bëhej pas çdo viti në të dyja vendet, por 2022 ishte i vetmi vit që “Sunny Hill” u bë në të dyja vendet. Në rrjet shumë komente ka pasur edhe për mungesën e Dua Lipës në skenë. Artistja ka njoftuar në “Instagram”-in e saj se do të jetë në Kosovë për ditët e festivalit dhe ashtu ndodhi. Por si mysafire.
Ajo ishte e pranishme në tribunat VIP të festivalit, bashkë me miqtë dhe familjarët e saj, duke shfaqur një dashuri dhe mbështetje të veçantë për këtë biznes. Në një moment të veçantë, Dua Lipa e tërhoqi vëmendjen e audiencës, ajo fillimisht iu dërgoi puthje me duar fansave të saj, duke ndarë me ta një mesazh të ngrohtë dhe miqësor. Më pas, ajo bëri me duar simbolin e zemrës, duke theksuar dashurinë dhe mirënjohjen që ndjen për ndihmën dhe mbështetjen e fansave të saj. Edhe vitet e shkuara, Dua ka mbërritur në Kosovë, por për ta ndjekur koncertin si fanse, pasi vetë ka zgjedhur mos të performojë.
Natyrisht që një fakt i tillë i ka mërzitur jo pak ndjekësit, që prisnin ta shikonin në skenë duke performuar. Në rrjetet e saj sociale, vetë Dua ka zgjedhur mos të japë detaje nga vizita e saj e shpejtë në Kosovë, duke preferuar vetëm që të drejtojë një ftesë për të gjithë ndjekësit e saj, duke konfirmuar prezencën e saj në “Sunny Hill”.
Fansat e festivalit, vazhdon raportimin Panorama.al, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre edhe me emrat që do të ngjiten në skenë. Të shumtë kanë qenë ata që kanë komentuar se prisnin një sërë emrash më të rëndësishëm të muzikës ndërkombëtare dhe jo artistët kosovar që i ndjekin përgjatë gjithë vitin në netët ku ata këndojnë. Pavarësisht të gjitha kritikave, nga festivali janë publikuar pamje nga festivali, ku duhet thënë atmosfera ka qenë elektrizuese.