Kryefjala Logo

Për gjithollogët e rrjetit: “Me tekst pa tekst, Ronela do shkojë në Eurovizion”, nga Andi Vrapi

31 Dhjetor, 2021 | 5:35 pm

Nga Andi Vrapi

Nuk mbaj mend herën e fundit këtë dekadë (të paktën) kur ditën pas finales së Festivalit të Këngës apo çfarëdo festivali tjetër të kenë vërshuar fjalët e mira, sidomos kur sapo i kemi prerë biletën artistëve për të na përfaqësuar në “Eurosong”.

I kam akoma të qarta në memorie komentet e këtyre kritikëve të artit shqiptar se fitorja e Rona Nishliut ishte një fitore si e Pirros apo kur titujt “…e ka blerë/ ka qenë paracaktuar” bënin xhiron si të ishin raketat e Elon Musk.

Sigurisht, edhe këtë herë, me fitoren e Ronela Hajatit të Festivalit të 60-të të RTSH-së nuk mund të mos mungonin kritikat – që duhet thënë, nuk janë asgjë veçse vrer i paketuar dhe ambalazhuar si “mendim i lirë”.

Që në mëngjes, gazetarë politikë si Mentor Kikia a Beti Njuma apo kolegë të fitueses si Stefi Prifti apo Mentor Haziri (Hersi Matmujën nuk po e përmend se ndoshta nuk e njihni), por edhe njerëz të thjeshtë ishin zgjuar me dëshirën për të lënë punët e Vitit të Ri e për të analizuar tekstin e këngës fitues “Sekret” – duke e cilësuar si skandaloz dhe madje, duke e quajtur këngën ordinere (një neuron vdiq kur lexoi këtë).

Duke qenë se nuk e dinë akoma, por për fat të keq po e marr unë guximin t’u jap lajmin e mirë se nesër hyjmë në vitin 2022 dhe muzika ka evoluar. Nuk i këndojmë më masivisht pyjeve, maleve, bibliotekave të harruara të Betit apo tempujve, sepse nuk bën më kush dashuri poshtë penxheres. Të rinjtë sot kanë mënyrat e tyre të t’i kënduarit dashurisë – sipas mënyrës si ata dashurojnë.

Nuk e di nëse ua ka thënë kush, por nuk po konkurrohej për poezinë më të mirë të Republikës, por po konkurrohej për këngën që do të na përfaqësojë një festival, ku nuk i këndohet as bananes e as kafe “Florës”. Ka një mini-festival fondacioni “Dritëro” dedikuar poezisë, por duke qenë se interesoheni aq shumë për poezinë e keni mbështetur më të dyja duart këtë iniciativë të familjes Agolli sa besoj tani e mësuat ekzistencën…

Muzika, më tepër se laps e letër për t’i lënë vend logjikës, është përjetim emocional dhe shpirtëror dhe ndonjëherë ta do zemra dhe të kërcesh, dhe të shkundesh e të bësh qejf, pa qenë nevoja për të ndryshuar botën, për të shpërndarë paqe në botë apo për të përkujtuar të rënët në luftë.

Kur del me shoqërinë ta do enda të kërcesh e dëfrehesh siç dëfrehen shumë poetë, mendimtarë, shekspirianë, gazetarë kulture nëpër evente qeveritare nën ritmet e turbofolkut apo tallavasë që kaq shumë shani e mallkoni.

Ishte Festivali i 60-të i Këngës, jo i 11-i ku ata që ishin më modernë hynin në burg – thjesht Ronela do të shkojë në Eurovizion.

Ishte festivali i vitit 2021 dhe jo i 1972-shit, që ekziston akoma pretendimi për këngë si të Kozma Dushit apo Dashnor Dikos. Asnjë artist i ri nuk bën më këngë të tilla… ok, përveç Mentor Hazirit.

Lërmëni t’ju rikujtoj se u deshën 10 vite që ky publik të kujtohet çfarë super-kënge është “Ti nuk më meriton” e të madhit Armend Rexhepagiqi e të Aida Barakut.

Ritfolku, përpos shkaqeve personale u nda se ky publik nuk diti ta mbajë e sot vajton për tekstet e atij grupi. E nëse Adelina Ismajli do të kishte dëgjuar çfarë thuhej për të në 1997-ën, nuk do ta kishte marrë mundimin për të revolucionarizuar muzikën shqiptare. A mos duhet t’jua kujtoj ato britmat kur Armendi fitoi Këngën Magjike?!

Për fatin e keq të shijeve tuaja muzikore, jetojmë në kohëra të reja, në kohën e brezit të ri që nuk e njeh fare censurën dhe është i lirë në “çmendurinë” e tij – pa e vrarë mendjen për këtë shoqëri. Një shoqëri, që le të themi ka një fiksim paksa mazokist me të vetëndjerit kompetent për të folur për çështje që nga politikat ekonomike, ndarjen mitokondrike, vendosjen e notave në pentagram e deri te rritja e preshit në Divjakë.

Më shumë se çështje artistike, ky mllefi dhe vreri kritik është një tipar (tashmë) i gjithë shoqërisë sonë, që niset me qëllimin për të thënë fjalën e fundit të parën dhe për të cilësuar diabolike gjithccka që nuk kupton – që të justifikojmë mungesën e sukseseve dhe lumturisë në jetën e secilit prej nesh.

Ama, medalja është tërësisht ndryshe nga ana tjetër e saj.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në Google apo Youtube dhe sheh që të huajt kanë vlerësimet më të mira për “Sekretin” e Ronelës, parashikimet e para e rendisin pozitivisht dhe pritshmëritë janë goxha të larta. Kritikë profesionistë dhe komentues të thjeshtë. Sigurisht, po të lexonin edhe ata kritikat e tekstshkruesëve të statuseve në Facebook do të ndryshonin mendim, por ja që nuk dinë shqip.

Performanca e Ronelës, aktualisht është performanca e parë e një përfaqësueseje shqiptare që renditet në “Youtube Trends” në vende të huaja, si psh, në Gjermani #12, në Maqedoni #20, në Itali #22, Britani të Madhe #15, në Spanjë #18.

Pra, teksa ne shqiptarët përpiqemi që ta ulim sa më poshtë përfaqësuesen tonë, janë të huajt që po e ngrenë lart. Sa bukur!

Shoh që shumica e artistëve kritikues ndaj koleges së tyre vuajnë sado pak nga deliri i madhështisë duke qenë kanë fituar çmime apo trofe, por më lini t’ju jap një tjetër lajm; disa çmime ua kanë dhënë producentët vetëm që t’u bien veshët rehat meqë sa herë humbni merrni tellallin nëpër ekrane e nëpër qytet.

Ju do thoni cili është mesazhi i gjithë këtij shkrimi?

Diana Ziu është e gatshme të nisë një festival të ri nga e para, kështu që, të gjithë nostalgjikët janë të lutur t’i bashkohen nismës dhe t’i këndojnë mëmëdheut.

Të ngjashme