Kryefjala Logo

Ore me kë tallen këta këngëtarë (nëse mund t’i quajmë të tillë)…?!

5 Gusht, 2023 | 10:20 am

Seriozisht e kemi me kë tallen këta këngëtarët tanë?! Kujtojnë që lindëm sot?! Fatmirësisht kemi që në 2010 që lëvizim pa viza (por edhe kur kemi lëvizur me viza) kemi rastisur të shohim ndonjë koncert të artistave ndërkombëtarë dhe realisht u del “rryli” i fytit duke kënduar “live” në skenë (të ndjekur sigurisht edhe nga super vokalista). Shembullin e keni të freskët me Ricky Martin e Enrique Iglesias…

Dje në koncertin e Noizyt nuk ngeli këngëtar duke kënduar “playback”  dhe kur largqoftë mikrofoni i tyre ishte ndezur nuk di seç mund të na dëgjonin veshët. E nisi këtë sagë vetë ai Elgit Doda, por kur e pasuan të gjithë me radhë përfshirë këtu dhe Elvana Gjatën apo edhe vetë të zotin e shtëpisë Noizyn, atëherë na lind pyetja. Ore me kë talleni ju?! Pse nuk keni respekt për ata që paguajnë t’ju shohin dhe meqë kopjoni dukshëm e rëndshëm e keni parë Beyoncen, Pink, Taylor Swift, Coldplay, Harry Styles, The Weeknd apo edhe më afër nesh Marco Mengonin. Ju duket vetja më të zgjuar se këta që këndojnë live apo s’dini të bëni siç duhet punën tuaj?!

Para ca ditësh nuk u erdhi mirë kur këtë shqetësim e ngriti Aleksandër Gjoka, kur Aurela Gaçe, Anxhela Peristeri, Armend Rexhepagiq, Elton Deda, etj bëhen ujë në djersë duke dhuruar mbi dy orë “live” show për publikun e tyre.

Po ju si nuk keni respekt për ata që kanë paguar nga 5 mijë apo edhe më shumë lekë biletën e koncertit duke parë se si lëvizni ju gojën?!

Apo mjaftoheni me faktin që publiku show do?! Në fakt publiku show do, se është mësuar të shohë edhe cirk e ju s’ja hidhni dot. Po meqë dini të lëvizni vetëm muskujt e gojës a mos vallë do ishte mirë ta quani veten “performues” dhe jo këngëtarë?! Dhe kështu mendoj t’ju quajnë tashmë të gjithë kolegët e mi gazetarë… (këtej e tutje)…

Të ngjashme