Kryefjala Logo

Arrestohet pas 27 vitesh vrasësi i Tupac!

30 Shtator, 2023 | 10:46 am

Policia në Las Vegas ka arrestuar një person për sulmin me armë të vitit 1996 ku mbeti i vrarë Tupac Shakur, një nga ikonat e muzikës, në një ngjarje të shumëpërfolur në dekada. Duane “Keffe D” Davis, ish-udhëheqës i një bande dhe tregtar i njohur droge në Los Anxhelos, u arrestua herët në mëngjesin e kësaj të premteje pasi u padit nga një juri për akuzën e vrasjes me armë.

Akuza u lexua në gjykatë nga prokurori i qarkut, Marc DiGiacomo. Ai u arrestua teksa ishte duke shëtitur pranë shtëpisë së tij në Henderson, një periferi e Las Vegas. Prokurori tha se juria e madhe dëgjoi provat në këtë rast për disa muaj dhe arriti në përfundimin se Davis veproi si “komandant në terren” dhe “urdhëroi vdekjen” e Shakur.

Davis ka pranuar edhe më herët nëpër intervista dhe në kujtimet e tij të vitit 2019 se ishte brenda në makinën Cadillac të bardhë nga e cila u qëllua me armë në drejtim të Shakur në shtator të vitit 1996. Shakur ishte 25 vjeç dhe vdiq nga plagët 6 ditë më vonë.

Arrestimi vjen 2 muaj pasi policia e Las Vegas bastisi shtëpinë e gruas së Davis, Paula Clemons. Policia tha se po kërkonte dokumente dhe sende “në lidhje me vrasjen e Tupac Shakur”. Policia raportoi se kishte sekuestruar kompjuterë të shumtë, një celular dhe një hard disk, një revistë “Vibe” që shfaqte Shakur, disa plumba të kalibrit 40, fotografi, etj.
Në librin e tij, Davis thotë se ai theu heshtjen për vrasjen e Tupac në vitin 2010 gjatë një takimi me dyer të mbyllura me autoritetet federale dhe lokale. Në atë kohë, ai ishte 46 vjeç dhe po përballej me burgim të përjetshëm për akuzat e trafikut të drogës.

“Ata më premtuan se do ta grisnin aktakuzën dhe do të ndalnin jurinë e madhe nëse do t’i ndihmoja”, – shkroi ai. Ai e ka përshkruar veten në libër si një nga dëshmitarët e fundit të gjallë të ngjarjes.

Shakur u qëllua për vdekje më 7 shtator 1996 pasi kishte parë një ndeshje të Mike Tyson. Reperi pati një përleshje me Anderson dhe disa të tjerë në hollin e hotelit. 3 orë më vonë kur po shkonte në një festë me themeluesin e “Death Row Records”, Marion “Suge” Knight me një kolonë prej rreth 10 makinash, një tjetër makinë u ndal pranë BMW-së së Shakurit në semafor të kuq dhe hapi zjarr.

AF65C383 D20A 4814 89D0 29CF45B17B59

Të ngjashme