Showbiz
Album vizual, një dedikim nga babai dhe plot surpriza në albumin e ri të Ylli Limanit!
19 Dhjetor, 2023 | 3:29 pm
Nga Andi Vrapi
Albumi “TJETËR” i Yll Limanit është ndoshta “dhurata” që mezi po presim të gjithë nga showbizzi shqiptar dhe kjo me të drejtë.
EP-i i parë, “Lshoja Zanin” ishte një nga projektet më të dëgjuara e më të klikuara të vitit 2021, ç’ka e katapultoi Yllin në një nivel tjetër të karrierës së tij.
Në një prej koncerteve të tij në Tiranë së fundmi, do ta takoja këngëtarin e ri, në moshë por jo në muzikë, dhe do të kisha mundësinë dhe privilegjin të dëgjoja i pari albumin e plotë, të kuruar deri në detaje bashkë me copëza nga spotet a.k.a videoklipet.
Po. Albumi “TJETËR” është një album vizual.
Dëgjimi i albumit nisi duke mbajtur vesh në boksin e vogël të telefonit dhe do të përfundonte me mua zhytyr në kapuçin e xhupit duke u përpjekur të mos më shihte kush në prag të vajtim me këngën e fundit (e preferuara ime).
Në plot 12 këngë, Ylli del nga zona e tij e komfortit dhe eksploron në zhanre të RnB-së dhe madje kalon në zhanere të tjerë shumëpak a aspak të shkelura nga ai. Këngëtari nga Prishtina nis rrugëtimin e këtij albumi me njeriun që e mësoi të hedhë hapat e parë në muzikë, babain e tij, nis të luajë, eksperimentojë dhe të shkojë deri aty ku nuk ka shkuar më parë me muzikën e tij dhe e përfundon në shtëpinë e tij më të lumtur: baladat.
Një Yll që repon, një Yll që aktron, një Yll që bën drill dhe një Yll që vërteton se zëri është instrumenti i tij më i fortë dhe artisti më premtues i gjeneratës së tij… dhe jo vetëm.
Dhe në fund të këtij “sesioni dëgjimi” të improvizuar kuptova se kisha qenë pjesë e terapisë në grup të producentit Fatjon Miftarajt, artistes Lira Bakaj dhe Yllit. Copëza jete të tyre të përkthyera në 12 këngë në albumin “TJETËR” që do të jetë e pamundur për t’u injoruar më 21 dhjetor.
E deri atehërë, urojmë që koha të ecë shpejt dhe kjo dhuratë festive të jetë në duart e të gjithëve.
Burimi: RevistaWho