Kryefjala Logo

Shkrimtari Shpendi Topollaj, në shenjë proteste ndaj sulmit rus kundër Ukrainës, kthen çmimin “ PUSHKIN” akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë

2 Mars, 2022 | 8:40 pm

Zoti MIKHAIL AFANASIEV – Ambasador i Federatës Ruse në Tiranë!

Ish ushtarak, gjyqtar dhe shkrimtar me shumë vepra në listën e letërsisë shqipe, Shpendi Topollaj njihet në qarqet letrare dhe artistike të qytetit të Durrësit dhe në shumë e shumë troje shqiptare. Ai sot ndërmorri nje nismë aspak të zakontë por të pritshme në këto kohë ku lufta është bërë refren i lajmeve dhe jetës sonë. Një shkrimtar edhe pse i mahnitur me letërsinë ruse vend nga ku ju akordua çmimi Pushkin, nuk mund të jetë nga ana e mizorisë. Beteja e shkrimtarit është fjala, ndaj edhe Shpendi Topollaj ka reaguar me këtë letër me rastin e kthimit mbrapsht të çmimit të dorëzuar nga Rusia. :

“Mua, shkrimtarit Shpendi Topollaj, autor i shtatëdhjetë librave në të gjitha gjinitë, pesë nga të cilat janë përkthyer dhe botuar në vendin tuaj, vite më parë, nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë më është akorduar çmimi “Pushkin” me motivacionin: “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”. Ceremonia u organizua në sallën e madhe të Muzeut Historik, ku çmimin ma dorëzoi ambasadori i asaj kohe zoti Aleksandër Karpushin, në prezencë të të dërguarit të posaçëm, poetit Vladimir Masallov, sekretar i Përgjithshëm i asaj Lidhje. Për mua, më shumë se vlerësim, ishte një gëzim, pasi ky nderim vinte nga në shtet i madh, me një trashëgimi të admirueshme kulturore, nga populli i të cilit kishin dalë korifej të letrave si Tolstoi, Gogoli, Çehovi, Turgenievi, Lermontovi, Esenini, Dostojevski, Gorki, Shollohovi, Blloku, Pasternaku, Ahmatova, Jevtushenko, Brodskij, Cvetajeva, Sollzhenjicini etj. etj. Ndihesha krenar, dhe botuesit, kujdeseshin që ta vendosnin atë në ballinat e librave të mij. Me cilësinë e anëtarit të Kryesisë së LSHA të Shqipërisë dhe atë të kryetarit të kësaj Lidhje në Durrës, por edhe si anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Rusi, kam organizuar dhe zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, një sërë veprimtarish mbreslënëse kushtuar figurave të shquara dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë së popullit rus, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të radhës.Kisha të drejtë, pasi veprën e pavdekshme të Pushkinit, këtij “bardi shpirtndezur” siç e kishte quajtur Derzhavini, në vendin tonë e njihte i madh e i vogël.

Vargjet e tij: “Lirisë i thura himn në shekullin e ashpër”,
“Mbi frone dridhuni tiranë /
Me shpirtin djallëzor në gji /
Dhe ti ngri krye anembanë /
Me burrëri, o robëri!”
apo
“Ne jemi dy zogj, pa liri s`rrojmë dot! /
Mbi male, vëlla, të vërsulemi tok, /
mbi detet e kaltër, të çlirët si lot. /
Ku era dhe unë baresim nga mot!”,
mbeten aktuale edhe sot e kësaj dite. Por, fatkeqësisht, ngjarjet tronditëse të kohëve të fundit, ku ajo ushtria që dikur kishte larë me gjak heronjsh fushat e pafund nga Sheshi i Kuq i Moskës deri në Portat e Brandenburgut në Berlin, kundër hordhive barbare hitleriane, tani iu vërsul me zjarr e me hekur një vendi e populli paqësor, duke vrarë pa dallim në mënyrën më kriminale njerëz të pafajshëm, deri dhe fëmijë. Asnjë arsye nuk i përligj këto veprime barbare, kundër atij vendi që vetëm kolektivizimi stalinist i shkaktoi shtatë milion viktima dhe pushtimi hitlerian gjashtë milion të tjerë. Kohët moderne kërkojnë sjellje moderne, të mençura, politike e diplomatike ku mbizotëron llogjika se njeriu, pra edhe një i vetëm është boshti i botës siç shprehej A. Çehovi. Humanisti i Rilindjes evropiane Françesko Petrarka (Francesco Petrarca), qysh në shekullin e katërmbëdhjetë shkruante se “Nuk ka liri më të çmuar se liria e gjykimit. E lakmoj ta kem për veten, por pa ua hequr të tjerëve”. Ju duhet ta dini se edhe në Greqinë e Lashtë, Perëndia e Luftës, Aresi ishte më pak i respektuari. Vetëm romakët agresorë, ata që kërkonin të krijonin perandori, i dhanë atij rëndësi, duke e bërë sheshin e Marsit, vendin ku legjionarët vringëllinin armët para se të nisnin betejat për pushtime. Dhe ja tani: qeveria juaj si Hermesi mitologjik e zgjoi Perëndinë e Luftës për të sjellë sherre, vrasje e shkatërrime, sikur të mos mjaftonin ato të deritanishmet. Ju jeni një popull që ndofta më shumë se të tjerët keni vuajtur nga lufta dhe keni bërë sakrifica të panumërta për të mbrojtur atdheun tuaj. Sikur të ngriheshin nga varri dëshmorët tuaj, kam bindjen se do thërrisnin me gjithë forcën e shpirtit të tyre: “Ndaloni, se e keni gabim! Me këto që po bëni, ta dini se historia do të na dënojë. Ju po dëmtoni edhe vetë Rusinë tonë, dhe a nuk u dhimbsen edhe djemtë tanë që po japin jetën për teka diktatorësh. Mos e harroni Hitlerin!” Zoti Ambasador! Duke qenë se jeni përfaqësuesi zyrtar i atij vendi, ku nuk shoh asnjë reagim nga ana e intelektualëve dhe sidomos shkrimtarëve, për të dënuar çmendurinë e qeverisë tuaj, edhe kur popujt po kërcënohen me përdorimin e armëve bërthamore, pra me zhdukjen e njerëzimit, çka më bën të ndihem i turpëruar nga heshtja e tyre miratuese, jam i detyruar t`u bëj me dije se çmimin “Pushkin” që dikur krenohesha, ta kthej mbrapsht. Kjo le të jetë edhe shprehje e solidaritetit me rezistencën e popullit ukrainas dhe masat e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu, me këtë gjest mendoj se do të jem më i nderuar si njeri dhe si shkrimtar, pasi e kam të qartë fundin e kësaj aventure kaq të rrezikshme, se fundja do të ndodhë ajo që thosh Shileri se “Historia botërore është gjyqi botëror”.

Durrës 2 mars 2022

Të ngjashme