Kryefjala Logo

Tregu i zi i duhanit – Si të shmangni blerjen e produkteve të pakontrolluara?

21 Korrik, 2022 | 11:52 am

Tregu i paligjshëm i produkteve të duhanit gjatë viteve të fundit ka pësuar rritje me ritme të larta, edhe pse përveç shëndetit, ato dëmtojnë edhe ekonominë e vendit. Lajme për shitjen kontrabandë të cigareve apo produkteve të tjera të duhanit, tanimë janë gjithnjë e më të shpeshta në edicionet informative, duke e sjellë problemin në vëmendjen e të gjithëve.
Duhanpirësit janë ata që preken drejtpërdrejt nga ky fenomen. Ndaj dhe marrim shkak për të treguar të gjitha informacionet që të mos të bini pre e ‘mashtrimeve’ të tilla.

E dhëna e parë vjen nga çmimi
Nëse jeni duhanpirës ju tanimë e njihni shumë mirë markën që konsumoni. Këtu futet edhe çmimi me të cilin ju jeni mësuar. Por kur produktet e duhanit janë të pakontrolluara kjo vlerë ndryshon. Për të tërhequr më shumë konsumatorë, këto produkte ofrohen me çmime më të lira, pasi ai që i tregton nuk paguan taksa. Duke patur çmim më të ulët, duhanpirësit nxiten që të konsumojnë më shumë pasi kostot ulen.
Nëse nuk kanë mesazhin paralajmërues shëndetësor

Sipas ligjit aktual në Shqipëri çdo njësi pakete dhe çdo paketim i jashtëm i produkteve të duhanit si cigaret, cigaret elektonike, pajisjet me ngrohje apo produkteve të duhanit të përtypshëm, duhet të përmbajë paralajmërimin shëndetësor si vijon: “Ky produkt duhani dëmton shëndetin dhe shkakton varësi”. Ky mesazh duhet të shfaqet në dy sipërfaqet më të mëdha të paketës dhe të paketimit të jashtëm. Ndaj nëse shihni që tek paketa juaj mungojnë këto fjali, atëherë produkti është i pakontrolluar dhe më i rrezikshëm për shëndetin.

Gjuha e përdorur në paketim duhet të jetë shqip
Duke nisur nga tabela e përbërësve, informacionet për përdorimin dhe ruajtjen, të dhënat e prodhuesit, por edhe mesazhet paralajmëruese, e gjithë kjo përmbajtje duhet të jetë në gjuhën shqipe. Gjithashtu çdo njësi paketimi për produktet e duhanit duhet të përmbajnë një referencë që ky produkt nuk rekomandohet të përdoret nga të rinjtë dhe nga joduhanpirësit; kundërindikacionet e përdorimit; paralajmërimet për grupet e veçanta të riskut, paralajmërimet për efektet anësore; shkallën e varësisë dhe toksicitetit.

Niveli i nikotinës tek produktet e duhanit
Në pikat e liçensuara për tregtimin e produkteve të kontrolluara të duhanit, duhanpirësit e rritur janë të sigurt lidhur me cilësinë e tyre. Një nga elementet më thelbësore tek këto produkte është nikotina. Kur produkti kalon fazën e kontrollit, ai lejohet të qarkullojë në treg vetëm kur niveli i nikotinës është brenda sasisë së lejuar. Pra kur kemi të bëjmë me cigaret elektonike apo me pajisjet vape, lëngu nuk duhet të ketë më shumë se 20mg/ml. Pra kur blini produkte të ngjashme lexoni mirë sasinë e nikotinës për të kuptuar nëse është i kontrolluar nga instancat e duhura shtetërore.

Shitja jashtë paketimit
Një nga problemet e tjera dhe që rrezikon të gjitha grupmoshat lidhet me shitjen e produkteve të duhanit të hapura. Ato që rastisin më shumë, sidomos duhanpirësit, janë cigaret që shiten me copë jashtë paketës së tyre. Ky fenomen i blerjes së cigareve me copë është i përhapur në vende të ndryshme të botës dhe është identifikuar si një kërcënim për shëndetin publik jo vetëm për mungesën e higjenës por edhe sepse i bën cigaret më të arritshme dhe më të përballueshme për individët me pak të ardhura, përfshirë të miturit. Një shqetësim tjetër në rastin e cigareve të hapura lidhet me faktin se ato përmbajnë nivele të larta të plumbit, arsenikut dhe merkurit, si dhe shumë substanca të dëmshme. Ato përmbajnë dhe sasi shumë më të larta të kancerogjenëve të njohur krahasuar me cigaret normale si dhe 160 përqind më shumë katran, 80 përqind më shumë nikotinë dhe 133 përqind më shumë monoksid karboni.

Ndaj është shumë e rëndësishme që të zgjidhni gjithmonë pika shitjeje të liçensuara por edhe të tregoni kujdes për produktet nëse i kanë të gjitha kriteret e lejuara nga institucionet e kontrollit.

Të ngjashme