Kryefjala Logo

Shkodra loce ju fton në festivalin “Yje nën Yje”! Përjeto edhe njeherë magjinë si n’Kafe t’Madhe nga djepi i kulturës

24 Maj, 2024 | 11:54 am

Argtim, humor e qejf, po kërkon gjë ku t’i gjesh?
Nalu i fije e na ndi me kujdes, se ahengu ty po t’pret!
Spektakël dritash, qyfyre, bejte e nostalgji do jenë nji pjesë nga çka pritet me nodh tash afër në Shkodrën loce.
Yjet do të performojnë nën Yje në Teatrin Migjeni, duke risjellë humorin e përvetshëm shkodran që ka bërë për vete çdo shqiptar. Mbrëmjen e 28 qershorit bëni mirë mos ta harroni, sepse epiqendrën e veriut se veçojmë vetëm prej qyfyreve.
Shkodra ju thërret se ka me ju dhânë mâ t’mirët nga djepi i kulturës në festivalin “Yje nën Yje” ku do të ketë muzikë live nga këngëtarët më në zë, humor bio shkodran, bejte, balet e art boll.
S’mund t’rrim dot pa e thânë se qejfi bâhet me shkodranë!
Shfaqja do të nisë me humor thumbues, ndërsa fasada historike e Teatrit Migjeni do të shndërrohet në tempull kujtese nga ku do vizualizohen kohërat e vjetra të lavdishme të Shkodrës. Me stilin kabare që i shko e i vje do të përjetoni edhe njëherë magjinë, me taman si n’Kafe t’Madhe.
Skena e hapur do të kumbojë me bandën muzikore e cila do të jetë live shoqëruar me këngëtarët më në zë si dhe performancë baleti që do e kthejë këtë udhëtim në të shkuarën në një mbrëmje të paharrueshme. Ndarja e çmimeve gjatë festivalit të mbushur me surpriza, do jetë gjithashtu një moment special ku do kujtohen artistët e pavdekshëm të Shkodrës e për ata që janë duke e ruajtur me fanatizëm traditën e humorit vendas.
Po nalemi i fije te artistët, po jo se s’ju kena bind me ardh deri tash… (n’rast se s’je bind hala, shife pak se kush ka me ken aty).
Keni me qesh e me u ngërdhesh me t’madhin Edmond Halilin. Ka me harru me numru sa barcaleta di, për bejtet veç bâhuni gati!
Kanë me ju falenderu veshët se do u këndojë bylbyli Bujar Qamili, s’ka qejf mo t’madh se me e ndi!
S’duhet shumë me e përshkrue, ikoniken Drande Xhaj veç duhet me e shijue!
Keni me u âmëlsu me Jozefina Simonin, po s’keni me u vel!
E keni pa, e keni nigju, e keni dasht edhe Tan Bramën e kena marr me ju knaq!
Keni me u çel me Myfarete Lazin nji prej karajfilave me t’kandshëm të muzikës shkodrane
Kena edhe Akil Varfin, humorist i freskët, me na sjell nji frymë të re n’skenë!
Mos mungoni në spektaklin më të bukur veror/verior, i cili do ju bëjë të përjetoni ndjesi që do ju gëzojnë shpirtin. Ejani dhe kundroni yjet që performojnë të rehatuar në tavolinat e ulta të mbështjella nga pëlhura e kuqe, si dikur n’Kafe t’Madhe.
Mos harroni të merrni miq, familjen e këdo që ju do zemra për t’u dëfryer në mbrëmjen unike të 28 qershorit në oborrin e Teatrit Migjeni ora 20:00, ku zoja Shkodër s’do lërë gjë pa ju dhënë nga kultura e arti e hyrjen ua ka lënë falas.
Vendin e dini, kohën e dini… tashi ju e dini vet. Ua shpërblefshim n’gzime!

Të ngjashme