Lifestyle
One Telecommunications përkrah UNDP-së dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, organizoi tek Parku i Tiranës një aktivitet ndërgjegjësues për rëndësinë e angazhimit të të gjithëve në mbrojtjen e planetit.
20 Nëntor, 2021 | 7:53 pm
Fushatës së UNDP-së ”Mos Zgjidh Shfarosjen” iu bashkuan One Telecommunications dhe Ministria e Mjedisit. Ditën e sotme, përmes aktivitetit tek Parku i Tiranës, qytetarët u informuan për ndikimin që ndryshimet klimatike kanë mbi jetët e gjithsecilit dhe njëkohësisht u argëtuan përmes lojërave. Thirrja njëzëri e të gjitha organizatave, ekspertëve, shkencëtarëve dhe qeverive është se zgjedhjet personale të secilit kanë impakt karshi fenomenit të ngrohjes globale.
Sipas të dhënave më të fundit të Raportit të Parë Dy vjeçar të Përditësuar nga UNDP, tendencat e projeksioneve tregojnë se temperatura mesatare vjetore në Shqipëri do të rritet ndërmjet 1,3°C dhe 2,2°C deri në vitin 2050. Në bregdetin shqiptar parashikohet që temperaturat mesatare vjetore të rriten për të gjitha stinët, por sidomos për muajt e verës.
Shpeshtësia e temperaturave ekstreme të larta dhe numri e kohëzgjatja e valëve të të nxehtit, pritet që të rriten në mënyrë të konsiderueshme deri në vitin 2050. Brenda vitit 2050, niveli i reshjeve në Shqipëri pritet të ulet me 2,1% dhe 4,3% nga niveli bazë prej 929,7 mm i periudhës 1986-2005.
One Telecommunications i bashkohet kësaj fushate si kompania nismëtare në marrjen e masave për të mbrojtur mjedisin dhe ulur në minimum gjurmën e karbonit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kompania e uli sërish intensitetin e energjisë dhe emetimet e GES-ve me përkatësisht 19,9% dhe 36,1%; i uli emetimet e dioksidit karbonit me 18,1% (e barasvlershme me 231 tonë CO2); dërgoi për riciklim 100% të baterive prej plumbi, të vajrave lubrifikues, të materialeve të mbetjeve elektrike dhe elektronike, si dhe akumulatorët; çdo vit prezanton fushata ndërgjegjësimi brenda kompanisë mbi riciklimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të ujit, letrës dhe energjisë elektrike.
Këto përpjekje janë një proces në vazhdimësi që prej shumë vitesh tashmë, duke e bërë One Telecommunications një shembull të veprimit me përgjegjësi.