One Telecommunications, fushatë sensibilizimi mbi bullizmin!

9 muaj më parë

Të qenit viktimë e bullizmit është një përvojë e zakonshme e adoleshencës. Sipas një raporti të UNESCO-s të vitit 2019, rreth 20% e të rinjve në Shqipëri përjetojnë të paktën një nga format e bullizmit si thashethemet rreth tyre, fyerjet për shkak të pamjes, thirrjet me epitete apo emra tallës, deri edhe në përvoja më ekstreme, ato të prekjeve të papërshtatshme dhe detyrimin për të kryer veprime kundra dëshirës. Megjithatë kuptimi dhe evidentimi i bullizmit mbetet “thembra e Akilit” në parandalimin dhe minimizimin e dëmeve që shkakton bullizmi. Prandaj është e rëndësishme të kuptohen shkaqet e bullizmit dhe të diskutohen efektet psikosociale të viktimave të bullizmit.

 

Shpesh, bullizmi nuk identifikohet lehtë nga nxënësit, mësuesit, prindërit dhe as nga vetë viktimat e bullizmit. Është e vështirë për t’u kuptuar ndoshta për shkak të pamundësisë për të identifikuar ekuilibrin e pushtetit midis shokëve dhe për të dalluar kufirin mes lojës dhe shakasë nga ngacmimet e bezdisshme.

Megjithatë, ekziston një element kryesor në përkufizimin e bullizmit: pabarazia e fuqisë së dhunuesit dhe viktimës. Në thelb, bullizmi është një sjellje e qëllimshme dhe lënduese për tjetrin, që përsëritet, nga e cila viktima e ka të vështirë të mbrojë veten. Duhet theksuar se termi “bullizëm’’ nuk duhet të përdoret kur konfliktohen në çast dy të rinj me forcë fizike dhe psikologjike afërsisht të njëjtë. Ky çekuilibër i fuqisë mes dhunuesit dhe viktimës e dallon bullizmin nga aktet e tjera të dhunës dhe agresionit.

 

Pasojat psikosociale të bullizmit janë të rënda. Viktimat e bullizmit vuajnë vetminë, depresionin, madje tentojnë edhe vetëvrasjen. Bullizmi shkakton rezulltate të ulëta në mësime dhe mungesa në shkollë. Përveç kësaj, fëmijët dhe adoleshentët që janë bullizuar si fëmijë ose adoleshentë kanë tendenca të shfaqin sjellje të dhunshme kur rriten, vetëbesim më të ulët dhe simptoma më të larta depresive në krahasim me ata që nuk janë bullizuar.  

Duke qenë një fenomen shumë i ndjeshëm dhe shqetësues, One Telecommunications ka organizuar aktivitete sensibilizuese, në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe gjimnazet e Tiranës.

Le t’i ndërgjegjësojmë fëmijët në mënyrën e duhur që të mos ushtrojnë bullizëm ndaj moshatarëve të tyre, t’i mësojmë të njohin dhe të pranojnë dikë që flet, vishet ndoshta edhe sillet ndryshe nga ata. Bota është e bukur sepse të gjithë jemi të ndryshëm. Të gjithë bashkë mund të parandalojmë një dukuri e cila ndikon direkt në mirëqenien e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre.

Të ngjashme