Bashkimi i madh vazhdon – ONE Telecommunications dhe ALBtelecom bashkohen ligjërisht për t’u bërë ONE Albania

3 javë më parë

ONE Albania SHA, kompania e re e integruar u regjistrua me sukses në 1 janar, duke u bërë një nga aktorët më të rëndësishëm me rrjetet dhe shërbimet e saj në tregun shqiptar.
Pas blerjes historike të ALBtelecom dhe ONE Telecommunications vitin e kaluar nga kompania hungareze e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit 4iG Group, nisma e bashkimit të këtyre dy kompanive arriti një hap tjetër të rëndësishëm ligjor. Bashkimi i ALBtelecom, ofruesit kryesor të telefonisë fikse, internetit dhe TV dhe ONE Telecommunications, operatorit të dytë celular, me rritjen më të shpejtë në treg, arriti në një prej fazave përfundimtare të procesit, duke krijuar ONE Albania, kompaninë e regjistruar në 1 janar.

“Ne jemi shumë entuziastë për të njoftuar bashkimin dhe integrimin ligjor të dy kompanive shumë të rëndësishme historike të telekomunikacionit në Shqipëri, në një kohë kaq të shkurtër për standardet e industrisë. Kjo shpejtësi e integrimit na lejon të fokusohemi në ofrimin e një niveli më të lartë shërbimi për klientët tanë.” – tha Robert Budafoki, Zëvendëspresident i 4iG International. “Qëllimi i ONE Albania është të shndërrohet në kompaninë lider në inovacion dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në Shqipëri dhe një lojtar kyç në digjitalizimin e ekonomisë vendase.”


Viti 2023 nisi me një hap ligjor të integrimit me një emër të ri, ONE Albania. Kompania e kombinuar trashëgon rrjetin më të madh fiks nga operatori aktual dhe një rrjet me cilësi të lartë të operatorit celular, me rritjen më të shpejtë. Grupi 4iG emëroi ekipin e përbashkët drejtues të kompanisë në fund të korrikut 2022 dhe lançoi produktin e parë të kombinuar më 1 shtator 2022. Sikurse është lajmëruar më parë, Emil Georgakiev do të drejtojë kompaninë ONE Albania, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
“Bashkimi ligjor është një moment historik i rëndësishëm në rrugën që të çon drejt një kompanie të integruar të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit që ofron gjithçka, nga shërbimet fikse e deri tek ato celulare. E vetmja gjë që klientët tanë mund të marrin nga ky proces është përvoja më e mirë për ta.” – tha Emil Georgakiev, CEO i ONE Albania.
Si një ofrues mbarëkombëtar i katër produkteve (4P), ONE Albania do të sjellë një gamë të gjerë shërbimesh në tregun e telekomunikacionit. Gjithashtu, kompania synon të jetë lider në tregun e shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Shqipëri.

Të ngjashme