Kryefjala Logo

Aksion pastrimi në grykëderdhjen e lumit Ishëm, 560kg mbeturina u mblodhën nga studentët dhe gjimnazistët

9 Janar, 2024 | 11:37 am

Dhjetëra studentë dhe gjimnazistë nga Durrësi janë përfshirë në një aksion pastrimi në grykëderdhjen e lumit Ishëm.

Duke sfiduar temeraturat e ulëta, të rinjtë së bashku me mësues e pedagogë marshuan drejt një terreni të vështirë duke iu përgjigjur apelit për pastrimin e lumit Ishëm nën iniciativën e Shoqatës KREO në bashkëpunim me organizatën CleanIshemRiver.

Aktiviteti u zhvillua ditën e Shtunë, datë 16 Dhjetor, gjatë orarit 08.00-13.00. Në aktivitet morën pjesë 25 vullnetarë, kryesisht studentë, nxënës dhe mësues nga qytetit i Durrësit në bashkëpunim me institucionet: UAMD; Shkolla Jusuf Puka; Shkolla e Re Kënetë; Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Durrës, dhe administratori i Ishmit, Kadri Gjyli dhe skuadra e tij.

Të pajisur me mjete pastrimi, doreza dhe thasë mbetjesh, vullnetarët gjatë këtij aksioni mblodhën rreth 506kg mbeturina.

Për rreth pesë orë, dhjetra thasë u mbushën me shishe plastike, materiale ndërtimi, lodra fëmijësh dhe sende të tjera, të cilat e kishin kthyer bregun e lumit në një pirg mbeturinash. Pas aksionit, bregu mori një tjetër pamje.

Te veshur me bluzat me mbishkrimet “Pursue Change”, pjesëmarrësit ishin entuziastës për ta bërë zonën rreth lumit Ishëm sa më të pastër duke kontribuar në këtë nismë me ndikim në mjedis.

Gjithashtu, mbështetjen e saj e ofroi dhe Bashkia Durrës, e cila tërhoqi mbetjet e mbledhura nga vullnetarët.

Grykëderdhja e lumit Ishëm është një nga zonat më problematike të ndotjes së qëndrueshme të detit Adriatik. Lumi sjell në det qindra tonelata me mbetje urbane, kryesisht të Tiranës, Kamzës e Fushë Krujës.

Mbetjet plastike, përfshirë edhe ato spitalore dhe inerte, të hedhura përgjatë lumenjve Lanë dhe Ishëm përfundojnë në Adriatik duke shkaktuar ndotje që shtrihet përgjatë vijës bregdetare në disa kilometra.

Ekspertë të ndryshëm janë shprehur vazhdimisht se përmes ndërveprimit me komunitetin, qeveritë dhe kompanitë, shtrati i këtij lumi mund të rikthehet ne gjendjen natyrale brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Zgjidhja e kësaj ndotjeje masive do të ishte përmes vendosjes së koshave dhe rritjes së masave ndëshkimore, si zgjidhjen më efektive për ta mbajtur lumin sa më të pastër.

Gjatësia e shtratit të lumit Ishmëm është 79.2 km dhe formohet nga bashkimi i ujrave të lumit të Tiranës, lumit të Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atij të Gjolës, për t’u derdhur në gjirin e Rodonit.

Ky aktivitet është dëshmi se iniciativa si kjo krijojnë një impakt pozitiv në mjedis, komunitet dhe më gjerë.

 

Të ngjashme