Lajme
“Te henksha m*tin, hajde”, dalin mesazhet e te ndjeres ndaj Tire Alldervishit
3 Shkurt, 2021 | 2:06 pm
Rasti i sanitares, Tire Alldervishi, që i zhvati mijëra euro vajzës së një pacienteje të infektuar me Covid-19 shkaktoi bujë të madhe. Emisionet investigativ “Stop” publikoi disa mesazhe, që nxirrnin zbuluar punën e pistë të sanitares, që merrte para nën dorë për çdo lloj shërbimi që kryente në spital për disa pacientë.
Duke u hequr si infermiere ajo i mori në dorë 8 milionë lekë një vajze, duke i thënë se në këmbim do të kujdesej për nënën e saj të shtruar, e cila ishte me COVID dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. Ndërkohë së fundmi emisioni “Stop” ka publikuar disa mesazhe të tjera, mjaft dëshpëruese, që Tirja ka shkëmbyer me pacienten e ndjerë. Kjo e fundit shihet t’i ketë kërkuar me përgjërim sanitares që t’i jepte ushqim apo ujë.
Në datën 6 Dhjetor në mëngjes, pacientja e ndjerë i drejtohej Tires: “Të hënksha m****, hajde 1 sekondë”.
Por 45 minuta më vonë, Tirja nuk ishte dukur dhe pacientja e kërkonte sërish me dëshpërim.
“O Tire, hajde të hënksha m****. Ku je? Hajde”.
Kjo ishte thirrja e qytetares që vuante nga Covidi dhe nga anti-humanizmi.
“A e takove Anin”, vijonte ajo më tej duke shpresuar që paratë e së bijës që mbushnin xhepat e Tires do të zbusnin vuajtjes e saj.
Në 12 Dhjetor, në orën 09:30 të mëngjesit, pacientja që vuante edhe nga diabeti, ende nuk kishte ngrënë mëngjes dhe i lutej Tires sikur t’i kishte shpirtin në dorë.
“O Tire, po më dridhet trupi për bukë. Po më bie diabeti, hajde shpejtë”.
Pas gjysmë ore, pacientja sërish e pangrënë, i përgjërohet sanitares Tire Alldërvishi.
“Të thashë më jep çik bukë, më ike”.
Më 13 Dhjetor në drekë, sërish lutje për vaktin e radhës.
“Kur do të ha bukë. S’ma bërë insulinën, të lutem hajde pak. O Tire hajde pak të lutem”.
Pesë ditë më pas, më 15 Dhjetor në mëngjes, e ndjera i drejtohej sërish asaj që e paguante për t’i dhënë një copë bukë.
“Pse më tradhtove? Jam keq. Më kthe përgjigje”.
Por Tirja, që thoshte se pacienten e kishte teze, mjaftohej t’i thoshte: “Mirëmëngjes teze. Jam në shtëpi, jo në punë”.
Në këtë pikë, komunikimi bëhet gjithmonë e më i dëshpëruar pasi edhe pacientja po jetonte fundin e saj.
“Të du shumë, hajde pak. Hajde më jep pak ujë. A je në punë? Hajde më vrit me duart tuaja dhe ik.
Këto mesazhe tregojnë qartë se shërbimi ndaj pacientëve në spitalet tona lë për të dëshiruar. Pavarësisht se shteti dhe stafi mjekësor e ka për detyrë t’i qëndrojë gati çdo qytetari, kjo gjë nuk ndodh dhe madje shqiptarët duhet të japin para shtesë për të marrë atë që meritojnë, ose ndryshe lidhen në mëshirë të fatit. Sot Tirja ndodhet pas hekurave, por askush nuk na siguron se në sistemin tonë shëndetësor nuk kemi më Tire të tjera që shfrytëzojnë rastin për të përfituar në kurriz të pacientëve të sëmurë.