Kryefjala Logo

Yuri Kim flet për blerjen e votës në Elbasan: Është problem, 3 kandidatë janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA, KQZ ka listën dhe prokuroria e ka në dorë

10 Mars, 2021 | 6:22 pm

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim ka paralajmëruar skualifikimin e disa kandidatëve për deputetë. Pa përmendur emra, pas takimeve që zhvilloi në qytetin e Elbasanit me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Elbasanin, Gazment Bardhi si dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ambasadorja flet për skualifikime.

Në një deklaratë për mediat, Yuri Kim u shpreh se janë 3 njerëz që Sekretari i Shtetit të SHBA ka përcaktuar, pa përmendur emrat e tyre, por duke shtuar se janë lehtësisht të gjendshëm.

Ambasadorja tha më tej se KQZ ka listën me këta emra dhe se është në dorën e prokurorëve dhe institucioneve që të bëjnë vettingun e kandidatëve. Kim tha mjaft qartë se blerja e votës është një problem në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë. Duke ju drejtuar ‘blerësve tha se ata po shkelin ligjin dhe po turpërojnë veten.

“Janë 3 njerëz që Sekretari i Shtetit të SHBA ka përcaktuar. Nuk kam për të folur emrat e tyre, por mund t’i shikoni dhe të gjeni. Ne e kemi thënë se duhen lista të pastra. Partitë e kanë marrë në konsideratë, pjesa më e madhe e tyre. KQZ ka listën dhe është në dorën e prokurorëve dhe institucioneve që të bëjnë vettingun e kandidatëve. Disa kandidatë mund të skualifkohen. Blerja e votës është një problem në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë. Ata që blejnë votat, ju them se po shkelni ligjin dhe po turpëroni veten,”- u shpreh Kim ndër të tjera.

Ambasadorja Yuri Kim ndodhet ditën e sotme në Elbasan, aty ku po zhvillon takime të njëpasnjëshme me disa nga drejtuesit politik. Kim është takuar fillimisht me Ballën, Bardhin, pak minuta më parë me Kryemadhin ndërsa pritet që të takohet dhe me Hajdarin.

 

Të ngjashme