Kryefjala Logo

Tom Doshi sfidon SHBA-të, do të kandidoj në katër qarqe

16 Shkurt, 2021 | 12:23 am

Pavarësisht mesazhit të fortë të ambasadores amerikane Yuri Kim, deputeti Tom Doshi sfidon sërish duke deklaruar se do të kandidojë për një tjetër mandat deputeti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pranoi regjistrimin e PSD-së si parti garuese më 25 prill, por me kryetar Engjëll Bejtjen.

Doshi sqaron arsyen se përse e mori Bejtja drejtimin e partisë, ndërsa konfirmon se në 25 prill do të kandidojë dhe madje, jo në një qark, por në 4.

Kryetari i zgjedhur i PSD-së jam unë, në zgjedhjet e 25 prillit kandidoj në 4 qarqe” tha ai, shkruan BW.

Doshi sqaron se në një mbledhje të strukturave të partisë është votuar që ai të jetë kryetar, por që vendimi në fjalë të marrë formë të prerë edhe në gjykatë duhet pritur data 19 shkurt.

Për këtë arsye, thotë më tej ai, PSD për të mos shkelur afatin e regjistrimit në zgjedhje vendosi t’i drejtohej KQZ-së me emrin e kryetarit Engjëll Bejtja.

Pak ditë më parë përmes një statusi në Twitter, ambasadorja e SHBA Kim riktheu deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vendosi në “listën e zezë” Tom Doshin, por deputeti nuk heq dorë nga parlamenti.

Të ngjashme