Kryefjala Logo

PS drejt “shkërmoqjes”, braktiset edhe nga Alket Hyseni

9 Mars, 2021 | 4:51 pm

Alket Hyseni është tërhequr nga gara për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, raporton newsbomb.al.

Kryeministri Edi Rama tha gjatë një konference për media se një prej kandidatëve është tërhequr, por nuk e tregoi emrin. Newsbomb.al. mëson se kandidati i larguar është deputeti aktual i Sarandës, Alket Hyseni.

Arsyeja kryesore e tërheqjes së Hysenit besohet të jetë renditja i 11-i në listën e PS, një vend i pasigurtë që mund të ketë shkaktuar pakënaqësi te ai.

Këtë e tha edhe kryeministri Edi Rama, duke lënë të nënkuptohej se Hyseni kishte shprehur pakënaqësi për renditjen mbrëmjen e djeshme.

“Kam dijeni për një rast mbrëmë vonë një kandidat që ishte shumë i bindur që nuk duhet të ishte aty dhe që thoshte se unë do bëj gjithçka po nuk dua të jem në këtë pozicion”, tha Rama.

Disa emra të njohur dhe me kontribut në PS u larguan apo vendosën të tërhiqen nga kandidimi si, Musa Ulqini, Besnik Bare, Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi dhe Sadri Abazi.

Të ngjashme