Politike
Grupi politik “Organizata Politike” mbron Elton Debreshin që akuzohet për skemën e eksplozivit në makinën e tij
1 Shtator, 2021 | 10:09 pm
“Organizata Politike”, grupacioni i majtë që mbështet kauzat e minatorëve dhe mbështetën në zgjedhje kandidatuën e Elton Debreshit kanë reaguar për ngjarjen e javës së kaluar. Debreshi akuzohet se sebashku me vëllain e tij kanë krijuar një skemë ku i kanë vendosur makinës së tyre eksploziv duke e plasur atë. Akuzat për ngjarjen si fillim shkuan drejt kompanive që operojnë në minierat e Bulqizës por pas detajeve të reja të nxjerra nga policia, e gjithë ngjarja u konsiderua një manipulim i Debreshit.
Deklara e plotë e organizatës:
SQARIM MBI NGJARJEN NË BULQIZË
Lajmi i vendosjes së eksplozivit në makinën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit, na tronditi jo vetëm ne, por çdo qytetar të ndjeshëm të Shqipërisë. Të nesërmen e ngjarjes kemi mësuar se policia pretendon që shkaktar i atij shpërthimi është vëllai i Eltonit. Ndërkohë media proqeveritare ka nisur një fushatë denigruese për Elton Debreshin duke e akuzuar si vënës të eksplozivit për të fituar azil politik jashtë Shqipërisë dhe dekonspiruar sekrete hetimore.
Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të të premtes në fshatin Dushaj të Bulqizës. Por më shumë se kushdo tjetër dimë me siguri se:
– Elton Debreshi është pushuar nga puna në mënyrë të paligjshme në nëntorin e vitit 2019 nga kompania Albchrome e kryeoligarkut Samir Mane për një dhe vetëm një arsye: guxoi të dilte në ballë të luftës sindikaliste për të drejtat e minatorëve.
– Elton Debreshi ka qenë zëri më i fortë për mbrojtjen e të drejtave të minatorëve, duke denoncuar çdo vrasje e plagosje minatori dhe u përpjekur për organizimin e tyre.
– Për shkak të konfliktit me pronarët e galerive dhe pushtetarët vendas, Elton Debreshi ka qenë në listën e zezë për të mos u punësuar nga askush, duke u trajtuar si subversiv dhe armik i “popullit”.
– Gjatë fushatës si kandidat i pavarur për qarkun e Dibrës, Elton Debreshi është gjobitur me 50 milionë lekë (të vjetra) për një aktivitet elektoral; gjobë e cila nuk është përsëritur për asnjë parti dhe kandidat tjetër në Shqipëri, ndonëse tubimet e tyre masive e kanë rrezikuar mjaft më shumë shëndetin publik.
– Gjatë përpjekjeve si kryesindikalist, Elton Debreshi është përballur me kërcënimet, shantazhet, aludimet dhe shpifjet e pronarëve të galerive, pushtetarëve lokalë dhe çdo mafiozi të zonës.
– Sidomos vitin e fundit Elton Debreshi ka qenë njeriu më i persekutuar në Republikën e Shqipërisë, i pamundur për të punuar si minator për të mbajtur familjen e tij.
– Sa herë ka pasur aksidente, edhe vdekjeprurëse, organet shtetërore ua kanë veshur fajin viktimave, duke u shërbyer me paturpërsi kryeoligarkut dhe pronarëve të galerive.
– Organet gjyqësore në Shqipëri janë instrumente të të pushtetshmëve ekonomikë e politikë.
Ne kërkojmë me forcë nga organet e drejtësisë të vërtetën dhe të drejtën, pavarësisht se nuk besojmë në gjykimin dhe ndershmërinë e tyre. Duhet të hetohen jo vetëm familjarët e Eltonit, por të gjithë pronarët e galerive dhe kërcënuesit e tij të vazhdueshëm.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike, jemi krenarë për mbështetjen që u kemi dhënë minatorëve në këto vite lufte me vampirët që rrojnë me gjakun dhe djersën tonë. Ne do të jemi në krah të familjes së Eltonit në këto kohë të vështira.
Zotohemi që do t’i intensifikojmë përpjekjet për organizimin e fuqishëm të minatorëve dhe të gjithë punëtorëve.