Kryefjala Logo

Edi Rama nuk e futi në lista sepse ishte i vetmi nga PS-ja që e kritikonte, rritet popullariteti i Ditmir Bushatit. E duan në krye të PS-së

10 Mars, 2021 | 6:23 pm

Ditmir Bushati ka qenë një ndër emrat më komentuar në rrjet ditët e fundit edhe pse në mediat më në zë në vendin tonë nuk i është dhënë hapësirë.

Ai u la jashtë listave të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 25 prillit nga Edi Rama dhe për këtë patën një përplasje në mbledhjen e kryesisë.

Bushati u shpreh se listat nuk ishin bërë me kolegjialitet as konsultim, as vendimmarrje për listat e kandidatëve siç kërkohet edhe nga statuti i PS-së.

“Ndryshimet e propozuara janë të palogjikshme, në një parti duhet gradualitet, nuk mund të jenë në listë Nasip Naço, Alqi Bllako dhe Lefter Koka para anëtarëve të kryesisë së PS-së. Nuk ka arsye që njerëzit e ardhur nga LSI-ja të renditen para kolegëve të PS-së, partia nuk është një thes, siç thatë ju kryetar, ku mund të futen të gjithë, pa kritere, pa garë dhe pa kontribute. Partia shtet e mban pushtetin, por nuk është ajo që ëndërrojnë shqiptarët.

Nuk më erdhi mirë që Erioni iu drejtua kolegëve Majko, Xhafaj dhe zonjës Kodheli me interpretime sofiste për pozicionin e tyre në listë, sepse unë dhe ti Erion kemi ardhur në partinë socialiste nga shoqëria civile për ta bërë politikën më të mirë dhe jo për ta çuar në këtë derexhe. Nuk jam dakord që neve na mbështesin 65-vjeçarët e lart, siç the ti, që për ne duhet të jetë këmbanë alarmi, sepse një parti pa rini nuk ka të ardhme”, është shprehur Bushati në mbledhje.

Duke marrë shkas nga përjashtimi që i është bërë, faqja e njohur Lolita ka bërë një sondazh në instagram se kush duhet të jetë kryetari i PS-së pas humbjes së zgjedhjeve më 25 prill.

Nga rreth 5800 votues, 1018 vota i ka marrë Erion Veliaj dhe 4712 vota Bushati

Në statusin e saj në Facebook, Lolita shkruan:

Ndjekësit e faqes tonë janë kryesisht të rinj, elektorat gri

që refuzon sufllaqen dhe propagandën bajate me mbjellje pemësh e përqafime gjyshesh. Përballë tij vendosa Ditmir Bushatin, një njeri që në gjithë karrierën e tij politike nuk ka përdorur qoftë edhe një mjet të vetëm propagande dhe daljet e tij në media mbahen mend vetëm nga koha që ishte ministër. Kam përshtypjen që propaganda e cila i ka shërbyer prej vitesh Erion Veliajt, tashmë i është kthyer në boomerang. Mbase ka ardhur koha të zgjedhim politikanë me mentalitet dhe qasje europiane, jo nga këta që bëjnë fushatë pa programe politikë, duke iu ofruar dema grave të botës si alternativë, duke bullizuar dhe mallkuar kundërshtarët, si ato gratë e këqija.

Të ngjashme