Politike
Ambasadori britanik i përgjigjet Ramës: Çfarë thuhet në mënyrë private mbetet private
16 Shkurt, 2021 | 11:33 pm
Për ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE kërkon zgjedhje të suksesshme, ndaj dhe interesi i Mbretërisë së Bashkuar për zgjedhjet e 25 prillit është i lartë.
” Zgjedhjet, sigurisht që janë të rëndësishme për popullin shqiptar. Kështu është dhe kështu duhet të jetë. Por zgjedhjet e suksesshme në Shqipëri janë të rëndësishme edhe për miqtë e Shqipërisë. Ne e kemi mbështetur Shqipërinë për dekada me radhë. I kemi dhënë ndihmë dhe mbështetje dhe e dëshirojmë shumë suksesin e Shqipërisë. Ne dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të anëtarësohet në BE dhe ne si Mbretëri e Bashkuar do të bëjmë gjithë çfarë mundim për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces. Një nga gjërat që ne të gjithë e dimë që kërkohet është: mbajtja e zgjedhjeve të suksesshme. Kështu që absolutisht, është një gjë mjaft e rëndësishme për popullin shqiptar, por ka rëndësi gjithashtu edhe për ndërkombëtarët, për ata që mbështesin Shqipërinë, për miqtë e Shqipërisë dhe këtu sigurisht përfshihet Mbretëria e Bashkuar. “- tha Norman.
Në intervistën për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, ambasadori britanik ju përgjigj edhe deklaratës së kryeministrit Rama mbi përfshirjen e tij në ato që kreu i qeverisë i quan çështje të brendshme.
“Unë nuk jam i përfshirë në zgjedhjet, unë qartësisht nuk po organizoj zgjedhjet, madje nuk ka pikë rëndësie për mua se kush i fiton zgjedhjet, por ka shumë rëndësi për mua dhe për Mbretërinë e Bashkuar që këto zgjedhje të jenë të suksesshme. Si diplomat nuk do të ishte e përshtatshme për mua për të folur për bisedat private. Nuk do ta bëja kurrë këtë… Disa njerëz e shohin këtë gjë ndryshe, por për mua çfarë thuhet në mënyrë private mbetet private.” – theksoi Norman në Përballë./Syri/