Kryefjala Logo

Naftëtarët në Ballsh protestojnë duke rrethuar rafinerinë, kompanitë tentojnë të tërheqin mallin

1 Tetor, 2021 | 2:55 pm

Naftëtarët e Ballshit janë mbledhur sërish përballë ambienteve të rafinerisë së naftës, pasi pretendojnë se 3 kamionë janë paraqitur mëngjesin e sotëm për të marrë nga rafieneria mallin e sekuestruar nga gjykata, që sipas kryetarit të Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj u takon atyre.

Dautaj, në një prononcim për News24 u shpreh se me një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatës, malli i ndodhur në rafinerinë e Ballshit u takon naftatarëve, ndaj kërkoi transparencë nga kompanitë që po tentojnë të tërheqin mallin.

Sipas tij ndoshta edhe kompanitë e tjera të paraqitura mëngjesin e sotëm janë nënkontraktorë dhe borxhlinjtë të kompanisë ARMO, por ai kërkoi nga instancat shtetërore të bëjnë mbikëqyrjen e shpërndarjes së mallit sipas ligjit.

“Sot edhe disa ditë të tjera kemi ardhur pasi kompanitë nënkontraktore, të cilat ndoshta kanë një vendim gjyqi për të likuiduar me kompanitë që kanë operuar në rafineri, erdhën sërish në mëngjes me kamionë për të marrë mallin, kur erdhët ju ikën. Ua qajmë hallin dhe atyre.

Ne nuk do bëjmë rolin si macia me miun, çdo tre ditë vijnë paraqiten borxhlinjtë e radhës, por si ata dhe ne kemi një vendim të formës së prerë për sekuestimin e mallit të kompanisë ARMO.

Ne nuk do vijmë çdo ditë këtu të kacafyten borxhlinjtë me njëri tjetrin. Nëse atyre u takon malli me ligj le ta marrim, të paraqiten përpara kamerave dhe të paraqesin dokumentet e tyre.

Ky është shkaku që ne kemi ardhur këtu. Ajo që kërkojmë është që të vihet dorë në këtë rafioneri që mos të merret malli në mënyrë spontane pa u shprehur instancat e duhura”, tha Dautaj.

Të ngjashme