Lajme
“Mesazhe të padenja dhe kërkesë për takime jashtë institucioni”, letra e gazetares shkak i dorëheqjes të ish drejtorit të RTSH-së Alfred Peza?
6 Shtator, 2024 | 6:02 pm
Dorëheqja e Alfred Pezës si Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së vjen pas një letre drejtuar kryetarit të Këshillit Drejtues të RTSH-së nga gazetarja Blerta Tafani. Kjo e fundit gazetare prej 25 vitesh, prej të cilave 10 vitet e fundit në RTSH.
Sipas Maska.al, në letrën e saj thuhet se, prej 11 muajsh, po përballej me një presion psikologjik të pashembullt.
Ajo tregon se në datën 28 shtator të vitit të kaluar, në mbrëmje, pas orës 20:00 ka marrë disa mesazhe të padenja, por edhe imponuese për takim jashtë institucionit nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Alfred Peza, shoqëruar edhe me insistimin me anë të më shumë se dhjetë telefonatave të njëpasnjëshme, të cilat ka refuzuar t’u përgjigjet.
Gazetarja Blerta Tafani ka shkruar se pasi refuzoi t’u përgjigjej telefonatave dhe mesazheve të Pezës ka pasur një dhunë të pandalshme verbale dhe psikologjike, përfshirë ndëshkime, paralajmërime, largime nga puna të të gjithë bashkëpunëtorëve të saj, presion e të tjerë.
Përmes letrës, gazetarja Blerta Tafani i ka kërkuar kryetarit të Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungos, që të ndalë këto veprime të turpshme për një institucion publik, të ndalë dhunën verbale si pasojë e ngacmimeve seksuale të drejtorit aktual të Përgjithshëm.