Kryefjala Logo

“Me pistoletë lodër do grabitësh ti? Dil jashtë!”/ Punonjëset përzënë hajdutin në Kombinat, mbrëmë grabiti te “Myslym Shyri”

11 Tetor, 2023 | 11:08 pm

I njëjti person që grabiti nën kërcënimin e armës, mbrëmjen e djeshme dyqanin e kompanisë celulare “Vodafone” në rrugën “Myslym Shyri”, ka tentuar sërish mbrëmjen e sotme që të grabitë dhe dyqanin e kompanisë celulare “One Albania” në zonën e Kombinatit dhe ende vijon të jetë i lirë.

I filmuar nga kamerat e sigurisë, edhe mbrëmjen e sotme ai është shfaqur me të njëjtën veshje, xhinse blu, bluzë të kuqe dhe kapele të zezë, teksa ende mbetet i paidentifikuar nga policia.

Sipas TPZ.al, në dorë, ai mban një valixhe ndërsa pasi ka hyrë në dyqan ai e ka hapur dhe ka treguar një send në dukje pistoletë, nën kërcënimin e të cilës ka kryer vjedhjet. Por plani këtë herë ka dështuar. Punonjëset e kompanisë nuk janë trembu madje i kanë treguar edhe derën duke e nxjerrë përjashta. Ato i kanë thënë se pistoleta që ka është false.

Ditën e djeshme, ai rreth orës 20:35, në rrugën “Myslym Shyri”, ka hyrë në dyqanin e “Vodafone dhe duke i kërcënuar punonjësit me armë zjarri, grabiti xhiron ditore rreth 300 mijë lekë të vjetra.

Si dje edhe sot, ai ka ikur në drejtim të paditur, teksa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.

Debati i grabitësit me shitësen:

Autori: Ju bëft mirë o goca, në fillim ma bëni hallall se nuk e bëj nga qejfi jam me transplant mëlçie.

Shitësja: Me pistoletë lodër do grabitesh ti, dil jashtë!

Autori: Mos më provoko.

Shitësja: Dil jashtë.

Të ngjashme