Lajme nga vendi
Zonat e lira ekonomike në Durrës, Eno Karapici: Thithen investimet e huaja dhe rritet punësimi i paguar mirë
19 Shkurt, 2021 | 9:50 pm
Nënkryetari i LSI Durrës Eno Karapici ishte i ftuar në një intervistë për Syri TV për të folur për nismën e LSI mbi zonat e lira ekonomike në Durrës
Pjesë nga intervista
Një pjesë e rëndësishme e programit të LSI për këto zgjedhje është edhe implementimi i zonave të lira ekonomike. Zonat e lira ekonomike në këtë rast , subjektet në të cilat ato ndodhen, përjashtohen nga taksat si TVSH tatim fitimi, taksat mbi të ardhurat personale për personelin. Ato përfitojnë dhe disa lehtësira të tjera përsa i përket terreneve. Kanë terrene falas.
Qëllimi i tyre është që në këto zona, pra zonat të promovohen për arsyen kryesore që është thithja e investimeve të huaja dhe rritja e punësimit. Nëpërmjet këtyre realizohet jo vetëm një rritje e numrit të punësimit në përgjithësi por dhe punësimi i paguar mirë. Ne kemi disa akte nënligjore që janë të miratuara vitet e fundit për përcaktimin e zonave të lira ekonomike por ato nuk kanë funksionuar.
Kjo ka ndodhur pasi zonat janë të miratuara vetëm përsa i përket legjislacionit por nuk ekzistojnë në realitet. Hapi i parë që një zonë të funksionojë zona duhet të jetë reale, ambientet duhet të jenë të përgatitura dhe me infrastrukturë të ngritur. Pasi bizneset duhet ta shohin zonën, të zgjedhin hapësirën që i përshtatet për investimet e tyre dhe më pas ato vendosin të krijojnë një kompani në këtë zonë.