Lajme nga vendi
Zbulohen detaje nga plagosja e 22 vjecarit ne Tirane: Po merresha me telefonin, mbulova koken me duar
13 Tetor, 2021 | 9:28 am
Mbremjen e djeshme nje 22 vjecar eshte plagosur tek Komuna e Parisit ne Tirane.
Të tjera detaje dalin në dritë nga plagosja e 22-vjeçarit Reidi Balla. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:35, tek lulishtja në rrethrrotullimin e Komunës së Parisit. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se 22-vjeçari gjatë natës iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të plagosjes në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në deklarimin paraprak që dha pas ngjarjes, i riu mësohet të këtë thënë: “Po shkoja në shtëpi. Parkova makinën dhe po merresha me celularin kur dikush u afrua dhe me qëlloi. Nuk e pashë se kush ishte sepse mbulova kokën me duar. Nuk e di kush më ka qëlluar”.
Policia po punon me kamerat e sigurisë për të marrë të dhëna që do të çojnë në identifikimin e autorit.
Po ashtu po pyeten rrethi shoqëror dhe familjar i Reidi Ballës për të kuptuar nëse ka pasur konflikte.
Burime nga policia thonë se 22-vjeçari nuk ka precedentë të mëparshëm penal.