Lajme nga vendi
Vrasja në “Astir”/ 5 ditë lidhje, studentja e Arkitekturës dyshohet se futi në kurth Mihasin
22 Nëntor, 2021 | 2:20 pm
Një vajzë 20-vjeçare nga Lushnja, dyshohet të ketë shërbyer si personi “karrem”, që ka ndihmuar autorët për t’ju afruar dhe më pas ekzekutuar, Erigers Mihasit dhe shokun e tij, Armand Dumanin, ngjarje kjo e ndodhur në 13 nëntor në zonën e “Astirit”.
Nga një material policor jepen detaje mbi ngjarjen e rëndë, ku dy shokët Mihasi dhe Dumani, mbetën të vrarë nga dy breshëri kallashnikovi.
Vajza me inicialet B.Sh, studente e arkitekturës në Tiranë, që nga rrethi shoqëror thirret shkurt “Bella”, kishte vetëm 5 ditë që ishte njohur me Erigers Mihasin.
Njohja është bërë në telefon, nëpërmjet aplikacioneve sociale, para se Mihasi të largohej nga Shqipëria në drejtim të Parisit në Francë.
Edhe pse Mihasi ka ikur jashtë shtetit, policia ka konfirmuar se komunikimi mes tyre ka vijuar përmes aplikacioneve të telefonit.
Mihasi nga Franca është larguar në Gjermani dhe nga ky shtet, ka mbërritur në Shqipëri, dy ditë para vrasjes në “Astir”.
Për mbërritjen e tij në Tiranë, ka pasur informacion dhe “Bella”, 20-vjeçarja që kishte krijuar me të një lidhje intime virtuale. “Bella” është takuar me Mihasin, pikërisht disa orë para se ai të vritej.