Kryefjala Logo

Vendosen himnin kombetar ne shenje proteste, arrestohen pronaret e lokalit ne Vlore

19 Korrik, 2021 | 9:57 am

Policia e Vlorës ka sqaruar përmes një komunikate për shtyp ngjarjen e ndodhur mbrëmë në Lungomare, ku disa biznese, vendosën muzikë jashtë orës policore, ndërsa pati edhe të shoqëruar. Disa lokale në zonën e Ujit të Ftohtë, në shenjë proteste kundër masave të qeverisë, vendosën himnin kombëtar para orës policore, por edhe pas saj.

NJOFTIMI I POLICISË

Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në lagjen “Uji i Ftohtë”, i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasit:

K. Xh., banues në Vlorë, administratori i subjektit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje;

S. Xh., banues në Tiranë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës;

E. T., banuese në Vlorë, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjithashtu, për subjektin është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

Të ngjashme