Lajme nga vendi
U arrestua për korrupsion/ Mjekut Edvin Prifti i sekuestrohen mbi 500 mln leke dhe 170 mijë euro
14 Maj, 2021 | 4:23 pm
Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash në llogari të mjekut Edvin Prifti.
Ai u arrestua për korrupsion, ndërsa më pas u lirua nga Apeli i Gjykatës së Posaçme, që zbuti masën e sigurisë ndaj mjekut duke e liruar nga qelia. Aktualisht, po hetohet në gjendje të lirë.
Hetimi pasuror
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron se po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, në ngarkim të të hetuarit Edvin Prifti (aktualisht nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”), i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (më shumë se një rast) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të Edvin Priftit dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij (Persona Fizik). Sipas hetuesve, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të Priftit apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
Nisur nga sa më sipër, duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të Priftit (në llogarinë personale apo të PF të krijuar prej tij) janë produkte të veprës penale, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.150 datë 11.05.2021, ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Sekuestro preventive mbi llogaritë bankare (llogari rrjedhëse, depozitë pa/me afat apo investime në obligacione) në emër të Edvin Priftit apo subjekteve tregtare në pronësi të tij në shumat:
- Sekuestrimin e shumës 51.479.368 Lek.
- Sekuestrimin e shumës 177.497 Eur.