Kryefjala Logo

Trajneri që po pengon futbollistët e rinj shqiptarë të jenë fitimtare në fushën e blertë

29 Mars, 2022 | 9:11 am

Shqipëria U-19 e Armando Cungut ka zhvilluar dy takime miqësore me U-19 e Kosovës në kuadrin e përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Evropian dhe në të dyja këto takime ka zhgënjyer.

Pasi ka humbur ndeshjen e parë me rezultatin 0-2 sot në Rrogozhinë skuadra U-19 e Shqipërisë nuk ka mundur të shkojë më shumë se barazimi 2-2.

Të gjithë të pranishmit që kanë qene në stadium kanë mbetur të zhgënjyer nga paraqitja e kuq e zinjve të cilët kanë qenë inferior përballë bashkëmoshatarëve kosovarë.

Trajneri Cungu dhe stafi i tij në këto dy sfida dështuan të krijonin frymën e një skuadre solide. Pozicionimi i lojtarëve tanë u orientua në mënyrë shumë konfuze.

Një skuadër pa busull dhe me lojë anemike, kështu mund të perifrazohet loja e zhvilluar nga skuadra e drejtuar nga tekniku shkodran që gjatë gjithë kohës të zhvillimit të ndeshjeve nuk ka mundur dot të dominojë ndaj miqve nga Kosova, të cilët sipas informacioneve tona ishin mbështetur më shumë tek lojtarët vendas nga Kosova pasi nga shumë skuadra të huaja nuk ishte dhënë OK për këtë grumbullim një javor.

Pa hyrë shumë në analizë teknike pasi skuadra ka qenë në të gjitha parametrat më poshtë se skuadra kundërshtare, ajo që ra më shumë në sy ishte mungesa e një skeme taktike të qartë për të kërkuar fitoren.

Në të dyja ndeshjet pamë një skuadër apatike dhe të ngathët për të shkuar tek porta kundërshtare dhe shpesh veprimet individuale të disa futbollistëve u bënë pengesë për të shkuar tek rezultatet  pozitive.

Duket që trajneri Cungu nuk arriti të nxjerrë mësime nga defektet e konstatuara në ndeshjen e parë çka nuk solli përmbysje rezultati në ndeshjen e dytë.

Në lojën e ekipit tonë u vu re nervozizëm shpesh herë i nxitur edhe nga ndërhyrjet pa vend të trajnerit./Hashtag.al

Të ngjashme