Lajme nga vendi
Tragjedi ne Berat, humbin jeten babai i paralizuar, djali dhe shoku i tij
8 Mars, 2021 | 11:16 am
Zbardhen detaje të reja tragjike nga zjarri i rënë gjatë natës së kaluar në Berat, ku dyshohet se kanë humbur jetën babë e bir, Jani Vangjeli, 61 vjeç, dhe Mateo Vangjeli, 36 vjeç, si dhe një shok i këtij të fundit.
Gazetarja Eneida Petova sjell në redaksinë e “BalkanWeb” dëshmitë e para nga vendngjarja, ku komshinjtë dhe familjarët e viktimave tregojnë se shkak për tragjedinë e 3-fishtë mund të jetë bërë një rezistencë.
Vëllai dhe kunata e 61-vjeçarit Vangjeli shprehen se babë e bir kishin në shtëpi një rezistencë, e cila mund të jetë bërë shkak për ngjarjen e rëndë.
Vëllai i viktimës, Kleanthi Vangjeli: Zjarri ka rënë në orën 1 pa 10. Unë erdha në orën 1 e 25, se erdha në këmbë. Gjeta vetëm flakë. Dëgjova që kanë humbur jetën tre veta. Ata kishin një rezistencë, që gatuanin, dhe them mos ka ndodhur nga ajo rezistenca.
Kunata e viktimës, Luljeta Vangjeli: Na morën në orën 12 të natës dhe na thanë që ka rënë zjarr te Xhovani. Nuk e besuam, morë zjarrfikësen direkt dhe na thanë që është e vërtetë. Erdhëm këtu, por nuk morëm vesh gjë. Tani në mëngjes po del trupi i Xhovanit.
Ndërkohë, policia dhe zjarrfikësit kanë nxjerrë deri më tani vetëm një trup të pajetë, që dyshohet të jetë i 61-vjeçarit Jani Vangjeli. Siç raportoi gazetarja Petova për “BalkanWeb” 61-vjeçari ishte i paralizuar, ndërsa djali i tij ishte përdorues alkooli.