Skafe me drogë dhe në Liqenin e Pogradecit, arrestohen 4 persona me sasi të mëdha hashashi

2 vite më parë

Policia ka bërë të mundur parandalimin e transportimit të 38 kg drogë nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut. Hashashi i ndarë në dhjetra pako është tentuar të kalojë në territorin maqedonas nëpërmjet një skafi në Liqenin e Pogradecit.

Personat e arrestuar janë Orestis Spirollari, 31 vjeç, banues në Pogradec, Kleanth Dokollari, 22 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, u shpall në kërkim shtetasi L. Sh., 20 vjeç banues në Hudënisht dhe u procedua penalisht për​ veprën penale “Moskallëzimi i krimit” shtetasja E. H., 31 vjeçe, banuese në Pogradec.

Në bazë të informacioneve të siguruara gjatë periudhës hetimore 4 mujore, në liqenin e Pogradecit, u konstatua një mjet lundrues tip skaf, me të cilin autorët e dyshuar, po trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut, një sasi prej 38 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me skafin, një gomone, një automjet tip “Benz”, si edhe sende të tjera që​ kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Ky operacion i sotëm është në vijim të operacionit policor të koduar “Hudënishti”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, të finalizuar më datë 07.08.2021, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, 3 të tjerë u shpallën në kërkim dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej jashtë vendit.

 

 

Të ngjashme