Lajme nga vendi
Sa të besueshme janë spitalet në Shqipëri/ Skandalet e kohëve të fundit, nga vjedhja e sendeve personale tek mashtrimi i sanitares
22 Janar, 2021 | 7:17 pm
Tetë marsin e vitit të shkuar, Shqipëria do të konfirmonte zyrtarisht dy rastet e para në vend me koronavirus; bëhej fjalë për babë e bir, të ardhur nga Firence, Itali.
Që prej kësaj kohe e në vijim, vendi është përfshirë nga debate të shumta, akuza, frikë e tension, si dhe skandale. Përflitet gjerësisht në masë rreth asaj çka ndodh vërtet brenda spitaleve Covid, ku nuk mungojnë as teoritë më ekstreme konspirative. Çka rrit akoma më shumë mungesën e besimit dhe të ndjenjës së dyshimit ndaj tyre janë bërja publike e tre skandaleve të bujshme, brenda një harku tepër të shkurtër kohor.
Jo më larg se tre ditë më parë, “Fiks Fare” denoncoi vjedhjen e një pajisjeje oksigjeni me vlerë 5 mijë euro te Senatoriumi. Ferit Kasa, 70 vjeç ndërroi jetë në datën 1 shtator 2020 në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, Tiranë. Gjatë kohës që ishte shtruar, personeli mjekësor i kërkoi familjarëve një pajisje për frymëmarrjen. Familja mori me qira 150 euro në muaj një pajisje B PAP dhe e çoi te Senatoriumi. Por, pasi 70-vjeçari ndërroi jetë, kjo pajisje u zhduk. Nga ana e Senatoriumit, shkruhej në dokumente se pajisja ishte dorëzuar te Morgu i Tiranës. Ndërkohë Morgu u ka kthyer sendet personale familjarëve, por pa pajisjen e oksigjenit që kushton 5000 euro.
Bujë mediatike bëri rasti i sanitares Tire Alldervishi në spitalin “Shefqet Ndroqi”, e cila hiqej si infermiere dhe i mori në dorë 8 milionë lekë një vajze, duke i thënë se në këmbim do të kujdesej për nënën e saj të shtruar, e cila ishte me COVID. Skandali u transmetuar në emsionin “Stop” dhe solli shkarkim të Alldervishit.
Komunikimet nëpërmjet ËhatsApp-it të vajzës dhe nënës së saj, tregonin se si sanitarja i kishte hequr bukën, ujin dhe nuk e kishte ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale ajo detyrohej t’i kryente në krevat.
Mbi ngjarjen në fjalë reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili e dënoi fenomenin në fjalë, duke shtuar se doktorët dhe infermierët janë heronj dhe se ata që kërkojnë para janë veçse një minoritet.
Së fundmi, sërish në “Stop” doli në dritë një tjetër rast flagrant abuzimi, në Spitalin Infektiv, ose Covid 1. Një qytetar, djali i një 58-vjeçari tregoi se babait të tij, i cili ishte i shtruar në spitalin Covid1 pasi ishte infektuar me koronavirus, i kishin vjedhur paratë që kishte në portofol. Sipas denoncimit të tij, babai iu shtrua në spital më 22 dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 dhjetor 2020. Djali rrëfeu se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 202 mijë lekë të vjetra, brenda së cilës ndodhej edhe karta e bankomatit së bashku me kodin pin. Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, nga bankomati u tërhoqën para.
Si për të shtuar misterin mbi sistemin tonë shëndetësor në kohë pandemie si dhe për të ngritur akoma më shumë pyetje mbi cilësinë e shërbimit, mbrëmjen e djeshme, e ftuar në emisionin “Opinion”, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u zu ngushtë nga denoncimi i një qytetari. Sipas tij, vjehrri, që ka qenë mbi 1 muaj i shtruar në spital, është dërguar në shtëpi i pashëruar, në pamundësi dhe për të ecur, pa karrocë dhe pa kushtet e nevojshme.
Një deklaratë e tillë erdhi në një kohë kur ministrja Manastirliu dhe kryeministri Rama janë shprehur se pacientët pasi dalin nga spitali dërgohen deri në derën e shtëpisë me ambulancë.
“Mund të jetë një shqetësim i drejtë, më duhet ta vërtetoj. Mjeku i familjes është i lehtë për t’u kontaktuar, dhe e gjen numrin e tij. Duhet ta verifikoj këtë rast, është shumë konkret për të folur…”, u përgjigj Manastirliu.