Lajme nga vendi
“Rrjedhja e trurit”, “VOA”: Shqetësim në Shqipëri largimi i të rinjve, 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen!
18 Mars, 2021 | 12:05 am
Në Shqipëri ka një shqetësim në rritje për largimin e të rinjve nga vendi. Çdo vit, afro 10% e numrit të studentëve, sipas autoriteteve zyrtare zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Ekspertët e shohin me shqetësim këtë fenomen, bazuar në disa sondazhe që thonë se 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.
Për ta kjo përbën rrjedhje të trurit, pasi vendit në terma afatgjatë, siç shprehen ata, do t’i mungojë shtylla e shoqërisë dhe ekonomisë. Autoritetet thonë se synojnë të frenojnë largimin e të rinjve duke rritur cilësinë e universiteteve, si dhe të nxisin kthimin e tyre në vend, pas përfundimit të studimeve përmes politikave të punësimit.
Shqipëria sipas Qendrës për Kërkime Ekonomie dhe Sociale, që ka përpunuar të dhënat e UNESCO-s zë vendin e dytë në Europën Qëndrore dhe Lindore, dhe në Ballkan pas Malit të Zi, për numrin e studentëve që studiojnë jashtë në raport me popullsisë, edhe pse ka të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë sipas Eurostatit. Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Ilir Gëdeshi thotë se rreth vitit 2000 ishin 5 mijë studentë, që studionin jashtë, në vitin 2015, 24 mijë dhe në vitin 2018, 18 mijë studentë. Bazuar në disa sondazhe të kryera nga kjo qendër, ai thekson se shumica e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.
“Nga studentët që janë jashtë rreth 94% dëshirojnë të rrinë në vendet ku studiojnë ose në një vend tjetër të Europës perëndimore. Nga studentët në Shqipëri 79% e e tyre dëshirojnë të emigrojnë pas përfundimit të studimeve. Analizuam përmes një ankete dhe dëshirën e maturantëve dhe vihet re se rreth 20% e tyre duan të studiojnë jashtë vendit dhe një pjesë tjetër rreth 40 mendojnë që mund të studiojnë për një specializim jashtë vendit pasi të përfundjnë studimet universitare në Shqipëri”- tha për Zërin e Amerikës Ilir Gëdeshi, Drejtor ekzekutiv i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe Sociale.
Për studiuesen Nevila Xhindi, arsyet e prirjes së lartë të të rinjve për t’u arsimuar dhe punësuar jashtë vendit janë komplekse, duke filluar nga cilësia e mësimdhënies në universitete, mungesa e meritokracisë dhe tregut të punës, korrupsioni, pagat e ulëta sa ¼ e pagës mesatare në vendet e BE, por dhe disa reflektime të tjera të shoqërisë shqiptare.
“Këtu karriera është shumë e lidhur me lidhjet politike, me lidhjet e fuqishme ekonomike, dhe janë pikërisht ata që kanë këto lidhje që kanë tendencë të të kthehen, sepse lidhjet janë të qëndrueshme. Kanë mundësi të zënë punë, kanë mundësi të grenë një karierë në administratën publike, në një kohë kur të gjithë ata që janë të rinj nga familjet e mesme, që janë intelektualë, janë elitat e reja të Shqipërisë, që ëndrrën e tyre kanë patur arsimimin e fëmijëve, pjesa më e madhe e tyre nuk kthehen. Mjedisi nuk u ofron atyre mundësinë për t’u kualifikuar dhe për të patur progres profesional”- shprehet për Zërin e Amerikës Nevila Xhindi studiuese.
Zyrtarët nuk e shohin me shqetësim tëndencën e të rinjve për të studiuar jashtë, madje e vlerësojnë si rritje të kapitalit human për Shqipërinë. Aktualisht ata thonë se nuk kanë statisika, se sa prej tyre kthehen ndërsa nënvizojnë disa mundësi që u janë afruar atyre për punësim në Shqipëri. Ata veçojnë atë të punësimit në administratë publike të një pjese prej rreth 850 studentëve, një nga nismat që pasoi paktin për Universitetin, që i dha fund protestave studentore në dhjetor të vitit 2018, si dhe uljen e tarifave të studenteve dhe rritjen e financimit nga buxheti i shtetit të Universiteteve.
Në lidhje me shqetësimin për cilësinë e mesimdhënies në Universitete dhe përshtatjen me tregun e punës Zv Ministri i Arsimit Olti Rrumbullaku jep këtë sqarim.
“Problematika më e madhe në vazhdim do jetë një përshtatje më e mirë e produktit që nxjerrin universitetet me tregun e punës dhe më shoqërinë. Kjo patjetër do realizohet me një gjurmim më të mirë të të diplomuarve në të ardhmen. Patjetër kjo do mundësojë një orientim me të mirë të profesioneve por dhe të programeve dhe kurrikulave”- tha për Zërin e Amerikës Olti Rrumbullaku, Zv. Ministër i Arsimit.
Për Alken Kadrian, student në degën e psikologjisë në Universitetin “Fresensius” në Këln të Gjermanisë, në Shqipëri është e vështirë të përparosh në karrierën profesionale.
“Psikologjia është një degë në Shqipëri, e cila përveçse nuk ka prestigjin e duhur, nuk ekzistojnë as strukturat e duhura, që ta mbështesin këtë degë. Nuk ka një komunitet të mirëfilltë akademik që e zhvillon degën. Tregu i punës në Gjermani sigurisht që ofron avantazhe, që në shtete në zhvillim si Shqipëri nuk i gjen”- u shpreh për Zërin e Amerikës Alken Kadria, student në degën e psikologjisë në Universitetin “Fresensius” në Këln të Gjermanisë.
Studiuesit shprehin shqetësim për atë që quhet rrjedhje e truri, dhe thonë se thonë se në ndryshim nga dekadat e tjera në këtë dekadë kanë emigruar persona të kualifikuar. Ata e shohin fenomenin e largimit të të rinjve nga Shqipëria me mjaft kosto për vendin në të ardhmen.
“Kjo mund të quhet një rrjedhje e trurit dhe mund të themi që Shqipëria në krahasim me gjithë vendet e Ballkanit perëndimor, ka karakteristika të migrimit të trurit. Ikin të rinj 20 vjeçarë. Pasojat, ikën pjesa e kualifikuar, moshat e reja dhe pasojat kanë të bëjnë me perspektivën e vendit”- u shpreh Ilir Gëdeshi, Drejtor ekzekutiv i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe Sociale.
Zv.Ministri i Arsimit i pyetur për shqetësimin e ekspertëve për rrjedhjen e trurit jep këtë përgjigje.
“Edhe studentët që studiojnë në Shqipëri edhe ata qstudiojnë jashtë patjetër arsimohen për të qenë gati për shoqërinë, për tregun e punës këtu apo jashtë vendit. Në të paktën për vetë sistemin arsimor e rëndësishmë është që ne të sigurojmë, që ky sistem të prodhojë ata studentë të diplomuar, të cilët janë gati për tregun e punës, këtu apo jashtë”- tha Olti Rrumbullaku, Zv. Ministër i Arsimit.
Studiuesja Nevila Xhindi mendon se zyratët nuk po i kushtojnë rëndësinë e duhur fenomenit të rrjedhjes së trurit.
“Migracioni i të rinjve shqiptarë është pjesë e kontekstit politik, social dhe ekonomik. Është refleksion i shoqërisë tranzitore të Shqipërisë, e cila për vite me rradhë nuk diti të ndërtojë institucione të qëndrueshme, korpus ligjor të qëndrueshëm dhe nuk diti ta bëjë të pranueshëm dhe të qëndrueshëm mjedisin që në të ardhmen këta të rinj të kthehen, si vlerë në këtë vend” – thotë Nevila Xhindi, studiuese.
Ekspertët janë skeptikë në vijimësi për nismat nxitëse për kthimin e atyre që kanë studiuar jashtë, apo për nismat që i nxisin ata të studiojnë dhe punojnë në Shqipëri. Duke e ciluar me shqetësim rrjedhje truri fenomenin e largimit të të rinjve nga vendi, ata thonë se në terma afatgjatë kjo do të ketë pasoja të mëdha pasi Shqipërisë do t’i mungojë shtylla e ekonomisë dhe shoqërisë./VOA