Kryefjala Logo

“Prindi 1” dhe “Prindi 2” në kopshtet e Tiranës, formulari mbetet ende “jetim”.Çfarë thotë Bashkia,komuniteti LGBTIQ dhe Ministria Arsimit

29 Tetor, 2021 | 12:31 pm

Një formular i pazakontë që po shpërndahet në kopshtet dhe çerdhet publike të Tiranës ka rindezur edhe një herë debatin e nxehtë për relativizimin e amësisë dhe atësisë, që në dokumente zyrtare është kërkuar të shënohen me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”.

Teksa dokumenti po bën xhiro në institucionet publike të edukimit parashkollor, asnjë institucion nuk di/do të thotë asgjë më tepër se sa aq sa kanë parë të gjithë të shpërndarë në rrjete sociale.

Formulari “Mbi sjelljen e fëmijëve të moshës, 1.5-5 vjeç”, i ndarë nga një subjekt “fantazmë” në të cilin kur pyetet profesioni i prindërve të fëmijës, shënohen respektivisht me “prindi 1” dhe “prindi 2”.

Duke siguruar që dokumenti nuk ka marrë “OK” nga Bashkia e Tiranës, kryetari e heq përgjegjësinë nga vetja duke ia kaluar topin Ministrisë së Arsimit.

DENONCIMI

Ishte pastori Akil Pano që denoncoi shpërndarjen e dokumentit, pa dijeninë e prindërve, e me sa duket, edhe të institucioneve. Pastori e përkthen këtë veprim si “axhenda gay në aksion”.

“Në shkelje të plotë të ligjit mbi Kodin e Familjes, emri ‘mami’ dhe ‘babi’ vendosen në kllapa dhe zëvendësohen me ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’. Axhenda gay ka nisur zbatimin qetësisht dhe në shkelje me kodin e familjes qëështë në fuqi. Ky lloj imponimi me dhunë është diktatura e minorancës mbi shumicën”, thotë pastori duke i bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë Arsimore, drejtorisë së shkollave dhe institucioneve të edukimit parashkollor të tërheqin menjëherë nga përdorimi këtë formular.

BASHKIA

“Në kopshtet publike nuk lejohen njerëz të paautorizuar që të bëjnë iniciativa të tilla. Do të duhet që fillimisht të autorizohen nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj mund të hyjnë, kontrolli është shumë i rreptë në kopshte. Megjithatë, mendoj se duhet të pyesim Ministrinë e Arsimit, se nuk besoj që fëmijët që nuk dinë shkrim dhe këndim kanë plotësuar formular, kështu që nuk duhet ta ekzagjerojmë”.

MINISTRIA E ARSIMIT

“Nuk jemi në dijeni për dokumentin në fjalë. Dhe duhet theksuar: për të hyrë në institucionet e edukimit parashkollor nuk merret leje në ministri, pasi ato nuk varen nga ne. Po të ishte institucion privat, ndoshta. Sidoqoftë, fakti që nuk ka një emër shoqate a organizate në formular, lë të kuptohet se pas atij dokumenti fshihen gjëra”.

KOMUNITETI LGBTIQ

“Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me formularin që pretendohet se është shpërndarë në kopshte të Tiranës, ku amësia dhe atësia përcaktohen mes opsioneve ‘prindi 1 dhe 2’. Ne si organizata ndajmë të njëjtin kuriozitet për të ditur çfarë përmban ai formular, kush e ka hartuar, kur është shpërndarë dhe çfarë të dhënash synon të mbledhë. Për sa kohë nuk dimë absolutisht më tepër se kaq, pyesim!”, thuhet ne reagimin e komunitetit LGBTIQ.

Të ngjashme