Lajme nga vendi
Mos na i përdorni ekspertët si “mish për vota”!
5 Mars, 2021 | 5:16 pm
Nga Mikel Ora
Pas Najada Çomos, Edi Rama ftoi publikisht një tjetër figurë të njohur për t’u bërë deputete e Partisë Socialiste.
Luljeta Bozo, inxhinierja e moshuar që me ekspertizën e saj u bë imazhi i qetësisë pas tërmetit të nëntorit, me gjasë do të jetë në kuvend. Nëse do të vazhdojë kështu duke futur në lista personazhe të spikatur të jetës publike, për herë të parë pas vitit 92, parlamenti do të ketë në radhët e tij intelektualët më të mirë të vendit.
Është për t’u pranuar që kjo është një gjetje e Edi Ramës pas konsumimit të figurës së tij nga 2 mandate për të cilat ai ka shumë pak për t’u mburrur.
Por kujt i shërben ajo?
Në 8 vjet ne kemi parë qe Edi Rama ka bërë krejt të kundërtën e asaj që po tregon tani në përzgjedhjen e figurave përfaqësuese.
Me projektimin, firmën dhe vulën e tij kemi parë për herë të parë kriminelët më ordinerë në parlament, persona të dënuar brenda e jashtë vendit për vrasje, prostitucion, falsifikime. Të gjithë këta ishin në radhët e Partisë Socialiste, jo rastësisht.
Të njëjtët personazhe janë sot sërish të atashuar pranë kësaj force politike e po mbledhin vota për Edi Ramën.
Kryeministri u detyrua t’i largojë nga parlamenti vetëm pas një presioni të fortë ndërkombëtar. Disa prej tyre i mbrojti publikisht e në çdo formë tjetër deri ditën e fundit dhe fshehu për llogari të tyre fletë-arreste ndërkombëtare.
Megjitahtë, disa ikën me pranga në duar, të tjerë me dorëheqje të shkruara në zyrën e shtypit të kryeministrisë.
Por ikja ishte vetëm formale, pasi ata janë sërish aty edhe pse jo imazhi i saj.
Tani, imazhi i dëmtuar prej tyre ka nevojë për t’u retushuar. E kush më mirë se një piktor ia di telajos ngjyrat që i mungojnë?
Edi Rama po përpiqet pikërisht të luajë sërish me imazhin në përpjekjen për të mbajtur karrigen e tij edhe për një mandat. Dhe kur bëhet fjalë për qëllime, ai ka treguar se ai është gati të përdorë gjithkënd.
Figura si Luljeta Bozo apo Najada Çomo janë vlerë e shtuar për një kuvend që, për dy mandate radhazi, ka qenë pasqyra që reflekton shëmtinë e një vendi të kriminalizuar e korruptuar si Shqipëria.
Por a do t’i shërbejnë politikës këta personazhe të spikatur në fushat e tyre? A do ta përdorin ata zërin në mënyrë të pavarur, apo do të këndojnë në korin partiak nën dirigjimin e kryetarit?
A do të mundet Luljeta Bozo të votojë, fjala vjen, kundër ndonjë koncesioni që bie era korrupsion, në një parti ku nëse voton kundër përjashtohesh nga radhët e saj?
Po Najada Çomo, a do të mundet të votojë ndonjëherë pro një ligji të propozuar kundërshtarët politikë, që edhe pse mund të jetë i vlefshëm, nuk pranohet nga partia e saj?
Në këtë gjendje që ndodhet politika jonë, këto figura ka shumë gjasë të shndërrohen në figurina.
Është shumë më i lartë propabiliteti që të bëhen thjesht mbajtëse të kartonit për të votuar sipas urdhërave partiakë, sesa të jenë një zë kundër padrejtësive, qoftë kur ato vijnë nga partia që i ka ulur në ato karriget e parlamentit.
Në këtë kontekst, ka pak gjasë që ato të jenë zëri i arsyes që do të dëgjohet nga një parti politike që për arsye dëgjon vetëm zërin e kryetarit të saj dhe për projekte ka vetëm ato që i ofrohen nga një grup i ngushtë klientësh.
Dhe po ashtu, mundësitë janë fare të pakta që ata t’i duhen Edi Ramës për të dhënë mendime e ide për çështje të rëndësishme që janë në konflikt me projektet që ai ka në kokë.
Sepse Edi Rama po punon edhe në këtë fushatë me po ata persona që dekriminalizimi dhe ndërkombëtarët e detyruan t’i largojë nga parlamenti apo radhët e PS, të cilët janë në terren duke kërkuar vota për PS-në. Sepse ai po ndan çdo tender apo leje ndërtimi po me të njëjtët njerëz të akuzuar për afera korruptive.
Për pasojë, ata do të jenë njerëzit që do të vendosin për punësimet në administratë, emërimet në polici apo tenderat.
Nuk ka fare gjasë që për tepsinë Edi Rama të ulet të bisedojë me Bozon apo Çomon.
Këto figura ai po i përdor vetëm për të përmirësuar imazhin në fushatën zgjedhore dhe është e kotë të shpresohet se ato do të jenë shtylla e vendimmarrjes. Ato janë fasada e fushatës dhe rrezikojnë që edhe pas zgjedhjeve të mbeten fasada e vendimeve që Edi Rama do të vijojë të marrë, nëse shqiptarët do t’i japin një mandat tjetër.
Dhe kjo është fasada më e rrezikshme që ka bojatisur ndonjëherë Rama. Sepse ajo do të fshehë të njëjtat mekanizma mbi të cilat ngrihen janë ngritur deri tani aferat korruptive.
Sepse shumë vendime të diskutueshme apo të padrejta do të merren me votën apo në emër të këtyre intelektualëve.
Nëse do të vijojnë të mbeten edhe pas zgjedhjeve intekeltualët që ne kemi njohur, si rrugë të vetme në një parti të mbyllur, do të kenë vetëm dorëheqjen, ashtu siç veproi profesor Tritan Kalo pas mospajtimit me përdorimin politik të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Për atë çfarë përfaqësojnë aktualisht, këto figura do të duhet të ishin me kohë në parlament e në qeverisje.
Por për atë çfarë rrezikojnë të përfaqësojnë realisht nën Edi Ramën, nuk do t’i shërbenin më vendit, por vetëm planeve të tij. ©Zoom.al