Kryefjala Logo

“Më foli ashpër dhe keq”, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas. Detajet

11 Qershor, 2021 | 8:26 pm

Një 61-vjeçar shqiptar u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Patras (Greqi) për vrasjen e gruas së tij. Krimi ndodhi në muajin qershor të 2014 në fshatin Achaea në Greqi.

61-vjeçari e vrau gruan e tij me një thikë kuzhine e më pas e mbështolli trupin e të ndjerës me qilim dhe shkoi në polici ku tregoi ngjarjen.

Mediat greke shkruajnë se debati mes tyre nisi pasi gruaja këmbëngulte që të rikthehej në punë, kur kishte vetëm 8 ditë që kishte dalë nga spitali.

Ndërkohë, vijojnë mediat, 61-vjeçari i kërkonte asaj që të qëndronte në shtëpi.

Përpara gjykatës ai ka treguar se nuk kishte qëllim për ta vrarë dhe se nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte bërë deri në momentin që e ndjera ra në tokë e mbuluar në gjak.

Sipas tij, bashkëshortja e ka ofenduar, shtyrë dhe e ka goditur në gjoks, duke bërë që ai të humbasë qetësinë.

“Ajo më foli ashpër dhe keq. Më shtyu në gjoks, duke kaluar para meje. Humba durimin, sepse po përpiqesha shumë për shëndetin e saj“, tha i akuzuari.

I pyetur në Gjykatë se pse e mbështolli trupin e saj me qilim, 61-vjeçari u përgjigj se nuk dëshironte që ta shihnin fëmijët teksa ai shkonte në polici.

Pavarësisht se ai deklaroi se ishte një akt i pafalshëm dhe i nxituar, mediat greke kanë publikuar deklaratën e motrës së viktimës e cila thoshte se prej kohësh çifti kishte problem pasi 61-vjeçari ishte xheloz.

“Ai ishte xheloz për të dhe e rrihte shpeshherë pasi besonte se e tradhtonte” – është shprehur motra e të ndjerës sipas mediave greke.

Të ngjashme