Lajme nga vendi
Mbyllja e gojës/ Dënime me gjoba për postimet në Facebook
3 Dhjetor, 2020 | 3:22 pm
Drafti i Ministrisë së Drejtësisë për ndryshime në kodin penal kriminalizon shpifjen në rrjetet sociale duke parashikuar dënime të rënda për rastet kur atakohen personat publikë apo partitë politike. Gjoba që parashikohet në këtë rast është nga 50 deri në 150 mijë lekë të reja ndërkohë që në rastet e medias, veç gazetarit, përgjegjësia ligjore përfshin edhe drejtuesit e medias.
Drafti i Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet në kodin penal parashikon ndëshkime edhe për postimet që qytetarët bëjnë në faqet e tyre në rrjetet sociale siç është facebook.
Propozimet e Ministrisë së Drejtësisë përkojnë në një masë të madhe me draftin e përgatitur nga qeveria për ligjin antishpifje.
Shpifja në rrjetet sociale cilësohet e dënueshme në pikën dy të nenit 227 të draftit, ku thuhet se përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues ndaj personit si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rreme, që cenojnë nderin dhe reputacionin, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë.
Ndyshimet në këtë dispozitë parashikojnë edhe një denimin plotësues ku thuhet se autori ka detyrimin të bëjë pergenjeshtrim dhe të kërkojë falje publike ndaj personit që është dëmtuar nga shpifja.
Në draft përcaktohet se dënimi shtohet me dyfishin e gjobës, nëse vepra penale është kryer nëpërmjet shtypit ose ndonjë mjeti tjetër komunikimi mediatik, elektronik, nëpërmjet rrjeteve sociale në internet, ose nëpërmjet një akti publik.
Ashpërsim të dënimit me ½ drafti parashikon edhe për rastet kur shpfia është kryer ndaj një organi politik, administrativ ose gjyqësor, ose një personi në cilësinë e përfaqësuesit të një prej këtyre organeve, ose një autoriteti të përbërë që funksionon në kolegj, siç është qeveria, apo institucionet e tjera në vend.
Një tjetër ndryshim për rastet e shpifjes në media, është se ndjekja penale nuk do të kufizohet vetëm tek autori i publikimit apo gazetari, por do të veprojë edhe ndaj drejtuesve të organit mediatik.
Në pikën 6 të nenit 227 përcaktohet se kur vepra penale e shpifjes është kryer me anë të shtypit, pergjegjesia shtrihet edhe për drejtorin administrues ose, sipas rastit, zv/drejtorin, botuesin dhe printuesin ne rastet e dijenise se tyre rreth faktit penal.
Sipas ndryshimeve të propozuara nga ministria e drejtësisë, në këtë rast dënimi penal shoqërohet edhe me dënimin plotësues të përgënjeshtrimit të deklaratës/faktit/informacionit të rremë me të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin mjet sikundër është realizuar përhapja e tij, dhe detyrimin e publikimit të vendimit gjyqësor penal nëpërmjet medias apo në komunitet.
Drafti thekson se procedimi penal ndaj autorit nuk e pengon të dëmtuarin nga shpifja që ti adresohet gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim civil për pasojat që i janë shkaktuar.